Nitaj u përgjigjet Ymerit dhe Limajt: Vetizolimi dëmton kauzën tonë

Kosova

Nitaj u përgjigjet Ymerit dhe Limajt: Vetizolimi dëmton kauzën tonë

Më: 8 shkurt 2016 Në ora: 22:08

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj edhe një herë e ka mbrojtur pjesëmarrjen e Ramush Haradinajt në tryezën e sotme politike të organizuar nga presidentja, Atifete Jahjaga.

“Unë besoj se vetizolimi i përfaqësuesve të kësaj kauze është dëmtim i kauzës e jo takimet ballpërballë. Kauza e drejt e Opozitës duhet të depërtojë edhe në disa qarqe të tjera, kryesisht ndërkombëtare, të cilat nuk jam shumë i sigurt, që e kanë kuptuar krejt kompleksitetin e krizës institucionale e politike në Kosovë”, shkruan Nitaj në Facebook.

Ky reagim i Nitaj kuptohet edhe si përgjigje ndaj krerëve të Vetëvendosjes dhe Nismës, Visar Ymeri e Fatmir Limaj, të cilët edhe pse jo drejtpërdrejt, kritikuan terhtorazi pjesëmarrjen e Haradinajt në takimin e sotëm të organizuar nga presidentja. Ata të dy thanë se zgjidhja nuk mund të jetë në tavolinë, por nga populli dhe në rrugë.

Postimi i plotë i Nitajt në Facebook:

Sfida e radhës e Haradinajt

Pse prania e sotme e Ramush Haradinajt në tryezën e Presidentes duhet parë si një gjest të vullnetit të mirë, i një politikani të përgjegjshëm, që i futet një beteje, i ndërgjegjshëm se shteti po rrëshqet në shpërbërje!

A mund të flitet se pesë minutat e tij në atë takim, ku thuhet se vendi është kapur nga dy parti e nga dy njerëz, ku thuhet se korrupsioni po mbërrin majat, ku thuhet se drejtësia është e korruptuar dhe e kontrolluar, ku sistemi i sigurisë nuk është i përmbyllur, dhe ku njerëzit përballë e kanë shkelur kushtetutën dhe duhet të shkojnë, është dëmtim çfarëdo kauze!?

Unë besoj se vetizolimi i përfaqësuesve të kësaj kauze është dëmtim i kauzës e jo takimet ballpërballë.

Kauza e drejt e Opozitës duhet të depërtojë edhe në disa qarqe të tjera, kryesisht ndërkombëtare, të cilat nuk jam shumë i sigurt, që e kanë kuptuar krejt kompleksitetin e krizës institucionale e politike në Kosovë.

Haradinaj sot në këtë tryezë, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e SHBA-së dhe të BE-së, bëri një ofertë për një marrëveshje politike për të dalë vendi nga kriza. Dhe tashmë kjo ofertë është e formësuar dhe mund të përmblidhet në një fjali:" Të shpërndahet parlamenti, të shpallen zgjedhjet e parakohshme dhe presidenti të zgjedhet me votë popullore"!

Ai sot e bëri një gjest të politikanit të përgjegjshëm për vendin e tij.

Se mos është hera e parë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat