Ministrja Bajrami priti në takim kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri

Kosova

Ministrja Bajrami priti në takim kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri

Më: 8 shkurt 2016 Në ora: 18:13

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami, priti sot në takim kryetarin e Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri.

Në takim u diskutua rreth intensifikimit të bashkëpunimit institucional në mes MTI-së dhe Komunës së Pejës në funksion të përmirësimit të ambientit të të bërit biznes në këtë komunë.

Ministrja Bajrami theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar në zbatimin e politikave që ndikojnë pozitivisht në zhvillimin ekonomik të vendit. Në këtë mes, ajo shtoi se janë marrë një varg masash të cilat po ndikojnë në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes dhe të cilat stimulojnë rritjen e aktiviteteve ekonomike me fokus të veçantë në sektorin privat. Ajo shtoi se MTI në vazhdimësi ka përkrahur komunat e Kosovës në përmirësimin e infrastrukturës fizike, në veçanti në ngritjen e zonave ekonomike, parqeve industriale dhe inkubatorëve të biznesit.
Kryetari i Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, tregoi për punën që po bëhet në komunën që ai drejton rreth përmirësimit të infrastrukturës dhe formave tjera të mbështetjes për bizneset. Ai tha se aktualisht, Komuna e Pejës është në proces të punës për themelimin e një Parku të Biznesit në të cilin do të vendosen kompani nga sektori i industrisë së drurit, i cili konsiderohet si një nga sektorët premtues për zhvillim të mëtejmë dhe krijimin të vendeve të reja të punës në këtë rajon.

Ministrja Bajrami shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të bashkëpunuar me autoritetet e Komunës së Pejës me qëllim të licencimit të parkut të biznesit në këtë komunë dhe ofrimit të përkrahjes praktike për ngritjen e infrastrukturës së nevojshme për funksionalizimin e parkut të biznesit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat