​Konjufca: Lironi aktivistët tanë, arrestoni djemtë e Mustafës e Grabovcit (Foto)

Kosova

​Konjufca: Lironi aktivistët tanë, arrestoni djemtë e Mustafës e Grabovcit (Foto)

Më: 8 shkurt 2016 Në ora: 12:52

(E plotësuar) - Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet një aksioni simbolik para Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë, ka kërkuar lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë aktiviteteve të opozitës muajve të kaluar.

Me mbishkrimet “Ky është Pallati, ku është Drejtësia”, “Liri Trimit, Liri Besnikut” “Pallati i padrejtësisë”, “Duam shtet të së Drejtës”, ata bënë thirrje tek hyrja për lirimin pa kusht të aktivistëve Trim Gashi dhe Besnik Zeqiraj e të tjerëve.

Deputeti i VV-së Glauk Konjufca, tha se po kërkojnë lirimin e të gjithë aktivistëve të opozitës, të cilët janë duke u mbajtur në arrest vetëm pse janë përkrahës të opozitës. Ai morri shkas nga dy aktivistët e Vetëvendosje-s Trim Gashi dhe Besnik Zeqiraj ,të cilëve sot u janë bërë 172 ditë në burg. Konjufca tha se Pallati i Drejtësisë është vetëm pallat ngase drejtësia në të nuk shihet asgjëkund.

“Është me rëndësi të ceket po ashtu që sidomos kur jemi te rasti i Trim Gashit, ai është arrestuar madje nga policia pa kurrfarë paralajmërimi përderisa ishte duke zhvilluar opozita aktivitetin e mbledhjes së nënshkrimeve, pra të organizimit të peticionit në kundërshtim të Zajednicës. Vetëm këtu tek ne ndodh, dhe Qeveria i thotë Kosovës shtet demokratik, përderisa aktivistët arrestohen duke organizuar peticione”, tha Konjufca.

Ai tha se Pallati i Drejtësisë i është nënshtruar politikës, në vend se të ndaj drejtësi.

“Ky institucion iu ka nënshtruar regjimit politik në ndërkohë që do duhej të ndante drejtësi dhe siç e kemi parë deri tani është zhvendosur deri tani në duart e regjimit i cili po e shtyp opozitën, deputetët, aktivistët opozitarë nëpër protesta... Ne i bëjmë thirrje që këtu Qeverisë së Kosovës, jo këtij institucioni më, sepse ky institucion është i kontrolluar, por i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës, që pa kurrfarë kushti të lirohen gjithë aktivist ët që po mbahen në burg. Të lirohet Besniku dhe Trim Gashi ”, tha Konjufca.

Ai ka përmendur rastet e familjarëve të Adem Grabovcit dhe Isa Mustafës, duke thënë se pikërishtë ata janë shkelësit e vërtetë te ligjit.

“Ne kurrë nuk do të dorëzohemi duke kërkuar drejtësi, ky popull nuk duhet të lodhet duke kërkuar drejtësi. Nëse 99 herë ke kërkuar drejtësi kërkoje edhe për të 100 herë. Ky është rregull elementar njerëzor. Shikojeni edhe me Zajednicës dhe Demarkacionin se çka po ndodhë, ne 5 herë i kemi bërë thirrje Qeverisë. Me të 6tën herë do ta bëjmë me 17 shkurt. Do ta bëjmë edhe thirrjen e 7 edhe thirrjen e 8të kurrë nuk do të dorëzohemi, të ndalemi me kundërshtua Zajednicën dhe me kërkua drejtësi në këtë vend”, tha ai.

Konjufca ndër të tjera përmendi edhe hapin e ardhshëm opozitarë me çka do të provojnë të mobilizojnë edhe faktorin ndërkombëtarë jashtë Kosovës, duke u shkruar atyre në lidhje me padrejtësitë që vendit po i bëhen nga koalicioni qeverisës.

​VV: Lirojini aktivistët, arrestojini djemtë e Mustafës dhe Grabovcit

Lëvizja Vetëvendosje ka realizuar një aksion simbolik para Pallatit të Drejtësisë, ku ka kërkuar lirimin e Trimit dhe Besnikut, dy aktivistë që janë arrestuar gjatë aksioneve të kësaj lëvizje.

Para pallatit kishte ardhë sot edhe Glauk Konjuca, i cili tha se dy aktivistët janë duke u mbajtur në burg padrejtësisht.

“Ata ishin në mbrojtje të Republikës dhe u arrestuan në momentin kur ishin duke mbledhur nënshkrime kundër Zajednicës. Aktivistët duhen të lirohen dhe të arrestohen djemtë e Isa Mustafës dhe Adem Grabovcit pasi që ata janë që shkelin ligje me tender e dallavere”, tha Konjufca.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat