Çollaku merr mbështetje për vizat edhe nga Çekia

Kosova

Çollaku merr mbështetje për vizat edhe nga Çekia

Më: 8 shkurt 2016 Në ora: 12:35

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ka pritur sot në takim ish komisionerin për Zgjerim, tani emisar i Republikës së Çekisë për Ballkanin Perëndimor, Stefan Fule.

Me Fule, ka diskutuar për zhvillimet e rëndësishme të ndërlidhura me agjendën evropiane të vendit me fokus në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ministri Çollaku, e ka njoftuar për tërë hapat që kanë ndërmarr institucionet në këtë proces.

“Ne kemi përmbushur kriteret e caktuara. Kemi punuar shumë seriozisht në këtë proces dhe kemi arritur të bëjmë reforma të mëdha në kuadër të këtij procesi. Tani jemi në periudhën vendimtare dhe presim një vlerësim meritor që do t’i mundësonte qytetarëve tanë të udhëtojnë pa viza në shtetet e zonës Schengen, gjatë këtij viti”, ka theksuar ministri Çollaku.

Po ashtu, ministri i Integrimit Evropian e ka njoftuar Fule edhe për zhvillimet tjera në kuadër të agjendës evropiane duke u ndalur tek përgatitjet që po bëhen për implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Ascociimit.

Ndërsa ish komisioneri për Zgjerim, tani emisar i Republikës së Çekisë për Ballkanin Perëndimor, Stefan Fule, ka përgëzuar Ministrin Çollaku për reformat e ndërmarra të cilat u kurorëzuan me nënshkrimin e MSA-së, duke ofruar njëkohësisht mbështetjen e Republikës së Çekisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, bazuar në përmbushjen e kritereve të përcaktuara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat