Mitrovica - komuna më e varfër

Kosova

Mitrovica - komuna më e varfër

Më: 7 shkurt 2016 Në ora: 16:10

Mitrovica, dikur komuna më e zhvilluar industriale në Kosovë dhe me numrin më të madh të të punësuarve, sot është qyteti pothuajse më i goditur nga papunësia dhe varfëria.

Bazuar në marrëveshjet politike dhe procesin e decentralizimit, Mitrovica është ndarë në dy komuna - atë veriore, të banuar nga shumica serbe dhe Mitrovica jugore, e populluar nga shumica shqiptare.

Përderisa për pjesën veriore, nuk janë ofruar shënime nga autoritetet lokale, sipas të dhënave zyrtare të muajit dhjetor të vitit 2015, në pjesën jugore të komunës së Mitrovicës, afër 2000 familje me rreth 10 mijë anëtarë janë të përfshirë në skemat sociale, shifër kjo që e radhit në vendin e parë krahasuar me komunat tjera.

Kurse, punëkërkues të regjistruar llogariten të jenë mbi 6700 sosh.

Ndryshe, komuna e Mitrovicës (jugu) numëron mbi 72 mijë banorë me 46 vendbanime.

Se Mitrovica është me shkallën më të lartë të varfërisë, pajtohet edhe drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Mitrovicës, Miran Salihu.

“Shkalla e varfërisë ekstreme në Mitrovicë dallon nga qytetet tjera. Vetëm varfëria ekstreme mund të sillet deri në 18 për qind”, deklaron Salihu për Radion Evropa e Lirë.

Që nga vendosja e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, në qershor të vitit 1999, Mitrovica mbeti një prej komunave më të tensionuara duke u ndarë dy pjesë, atë jugore dhe veriore.

Problemet e vazhdueshme politike në këtë komunë, vlerësohen të jenë një prej arsyeve që kanë çuar edhe në ngecjen e zhvillimit ekonomik.

Por, ekspertët e ekonomisë fokusohen sidomos te shkalla e zhvillimit ekonomik si problemi kryesor pse mitrovicasit ballafaqohen më së shumti me probleme sociale.

Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, thotë se problem kryesor në këtë qytet mbetet politizimi.

Në këtë qytet, më shumë zhvillohet politikë se sa ekonomi, thotë Gërxhaliu, duke shtuar se në këtë kuadër mungon edhe një dialog i mirëfilltë ndërmjet komuniteteve.

Ai, madje, thekson se Oda Ekonomike ka rekomanduar që në qytetin e Mitrovicës, në lumin Ibër të krijohet një zonë ekonomike.

“Vetëm ekonomia dhe zhvillimi ekonomik mund të jetë mekanizimi kyç i përafrimit të interesave të të gjithëve që jetojnë në Mitrovicë dhe më gjerë. Ne, si Odë Ekonomike, kemi kërkuar që në Mitrovicë të zbatohet modeli i Traktatit të Romës, ku ekonomia dhe zhvillimi ekonomik i përafron kombet, i përafron interesat dhe të gjithë të mendojnë për ardhmërinë dhe jo për të kaluarën”, thekson Gërxhaliu.

Niveli i lartë i papunësisë dhe varfërisë, sipas Gërxhaliut, burimin e vet e ka te jofunksionaliteti dhe jofunksionimi me kapacitete të plota i kombinatit “Trepça”.

Kombinati metalurgjik “Trepça”, ishte i njohur në Kosovë në vazhdimësi si gjigant i zhvillimit ekonomik-industrial. Sektorët e këtij kombinati gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit të Mitrovicës.

Aty, para viteve ’90, kanë punuar 25 mijë veta, ndërkaq aktualisht, sipas shifrave zyrtare, ka rreth 1,435 punëtorë. Përderisa rreth 1200 veta, marrin pensione qoftë edhe të parakohshme.

“Ne jemi duke pasur kontakte të shumta me komunat dhe vërtet një ndër shkaktarët kyç pse jemi në këtë situatë, është procesi i privatizimit. Në këtë drejtim, nëse analizohet viti 1990 kur në Trepçë kanë qenë më tepër se 20 mijë të punësuar dhe sot kur në Trepçë nuk janë të punësuar as 1500 persona, është përgjigjja më e mirë se çka ka ndikuar në këtë varfëri apo gjendje të rëndë sociale dhe ekonomike në Mitrovicë”, potencon Gërxhaliu.

Komuna e Mitrovicës, përveçse është e pasur me minerale dhe xehe, është vend i pasur edhe me argjend dhe plumb.

Duke u bazuar në pasuritë e Kombinatit “Trepça”, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, gjatë fushatës parazgjedhore, kishte premtuar se do të gjeneronte mijëra vende pune duke ulur kështu papunësinë dhe varfërinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat