Agim Bahtiri fton opozitën të marrin pjesë në takim te presidentja

Kosova

Agim Bahtiri fton opozitën të marrin pjesë në takim te presidentja

Më: 7 shkurt 2016 Në ora: 15:38

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, iu ka bërë thirrje partive opozitare që të shkojnë të hënën në takim te presidentja Atifete Jahjaga, duke thënë se me këtë rast duhet dhënë shembull që klasa politike kosovare mund t’i tejkaloj inatet personale për hir të Kosovës.

“Liderët e partive opozitare nesër duhet të shkojnë te presidentja për të gjetur një zgjidhje se si të tejkalohet kriza politike. Po e shihni që edhe miqtë e Kosovës, ShBA dhe BE, po bëjnë thirrje që të gjitha palët të ulen në tryezë dhe të dialogojnë për të gjetur një zgjidhje”, thotë Bahtiri për Veriu.

I pari i Mitrovicës, që vjen nga partia AKR, iu kujton liderëve opozitarë se në kohë të vështira kanë ditur të sakrifikojnë për Kosovën, ndërsa tash është momenti që t’i lënë anash inatet me pozitën.

“Armiqtë e Kosovës duan që në Kosovë të ketë destabilitet, në mënyrë që t’i thonë botës se këta nuk e meritojnë pavarësinë, por ne duhet të dalim përtej interesave partiake e të politikës ditore, krejt kjo në të mirë të Kosovës”, thekson kryetari Bahtiri.

Agim Bahtiri porosit Visar Ymerin, Ramush Haradinajn e Fatmir Limajn, që në takimin e së hënës të tregojnë maturi dhe konstruktivitet për ta tejkaluar edhe këtë krizë politike nëpër të cilën po kalon Kosova.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat