Gratë e opozitës, takim mobilizues në Gjakovë për protestën e 17 shkurtit

Kosova

Gratë e opozitës, takim mobilizues në Gjakovë për protestën e 17 shkurtit

Më: 6 shkurt 2016 Në ora: 18:43

Opozita po vazhdon në mënyrë aktive përgatitjet për protestën e 17 shkurtit. Protestës së paralajmëruar janë duke i paraprirë dhjetëra takime mobilizuese me strukturat partiake dhe me qytetarët, siç ishte takimi i sotëm i grave të opozitës në Komunën e Gjakovës.

Përfaqësueset e grave të opozitës thanë se qëllimi i takimit të sotëm është në kuadër të përgatitjeve të tri partive opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe NISMA, për protestën gjithëpopullore të thirrur për 17 shkurt.

Kryetarja e Aleancës së Gruas së Kosovës, Magbule Shkodra, tha se arsyeja e këtij takimi ndërmjet grave të opozitës, është sepse Kosova është kapluar nga ditë të këqija, si dhe për të çuar në vend mesazhin se opozita nuk mund ta lejojë shkeljen e integritetit dhe sovranitetit të vendit.

Shkodra: Kosovën nuk e japim

“Jemi mbledhur përsëri se Kosova ka nevojë për ne. Ditë të këqija e kanë kapur Kosovën. Jemi mbledhur për të thënë “Jo, Kosovën nuk e japim!” Jo territorin e Kosovës. Do ta mbrojmë integritetin dhe sovranitetin e vendit tonë”, tha Shkodra.

Ndërsa, depute tja e Lëvizjes Vetëvendosje, Besa Baftiu, tha se janë po këto gra të Gjakovës të cilat vitin e kaluar shkarkuan Jabllanoviqin me organizimet e tyre kundërshtuese.

Baftiu: Gratë e Gjakovës i thanë “Jo” Jabllanoviqit

“E di shumë mirë se gratë nga Gjakova janë organizuar që nga viti i kaluar dhe i thanë “Jo”, ashtu që kryeministri i Kosovës që ta largojë. E dini shumë mirë, ai u detyrua me manifestimet anë e kënd Kosovës”, tha Baftiu

Deputetja tjetër në Kuvendin e Kosovës, por nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu, tha se Asociacioni po tenton ta kthejë Serbinë në Kosovë. Sipas saj, kjo marrëveshje nuk mund të quhet vetëm Asociacion, pasi, tha Haxhiu, Asociacioni është vetëm një OJQ, jo më shumë.

Haxhiu: Asociacioni tenton ta kthejë Serbinë në Kosovë

“Asociacioni tenton ta kthejë Serbinë në Kosovë. Po them ka shumë mundësi, ka shumë kompetenca që jepen me anë të këtij Asociacioni për komunat serbe. Asociacioni, të nderuara zonjusha dhe zonja, nuk është asgjë tjetër veçse një OJQ. Ne në Kosovë e kemi ligjin për OJQ-të, që nuk ua ndalon, pra edhe në Kosovë, edhe komunave me shumicë serbe të themelojnë një Asociacion”, tha Haxhiu.

Ndërkaq, deputetja e NISMË-s për Kosovën, Valdete Bajrami, tha se kosovarët kanë sakrifikuar shumë për ta larguar pushtetin serb nga Kosova, ndërsa, sipas saj, me Marrëveshjen e Asociacionit, Qeveria me lehtësi po rikthen atë brenda Kosovës.

Bajrami: Sakrifikuam shumë për ta larguar pushtetin serb

“Kjo marrëveshje, sidomos ajo e Asociacionit, do të jetë një krijim i shtetit serb brenda nesh. Ju e dini çfarë do të thotë dhe çfarë është dashur të sakrifikojmë që ta largojmë një herë pushtetin serb dhe me sa lehtësi ata po na e sjellin këtu”, tha Bajrami.

Mes tjerash u tha se gratë, ashtu si në janar të vitit të kaluar që u bashkuan dhe larguan ish-ministrin Aleksandër Jabllanoviq, edhe këtë herë do të dëshmojnë se janë të vendosura në mbrojtje të territorit dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës në protestën e ardhshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat