PDK-ja e Klinës: Bastisja e kryetarit Bashota, spektakël medial

Kosova

PDK-ja e Klinës: Bastisja e kryetarit Bashota, spektakël medial

Më: 6 shkurt 2016 Në ora: 18:23

Ndaj bastisjes së Komunës së Klinës dhe shtëpisë së kryetarit të kësaj komune, Sokol Bashota, ka reaguar Kryesia e Partisë Demokratike, Dega në Klinë. PDK-ja e Klinës, bastisjen e kryetarit Bashota nga Policia e Kosovës, i cili dyshohet për keqpërdorime gjatë ushtrimit të detyrës së tij zyrtare, e ka quajtur jo më shumë se spektakël media.

Bastisjet u kryen më datën 4 shkurt, 2016, me udhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

“Kryesia e PDK-së, Dega në Klinë, formën e bastisjes në Komunën e Klinës e konsideron si një spektakël medial që nuk duhej të ndodhte nga organet e rendit, sepse PDK-ja, si forca më e madhe politike në Klinë ka kontribuar më shumë se gjithkush tjetër për krijimin dhe konsolidimin e institucioneve dhe është e gatshme në çdo kohë të bashkëpunojë me to në frymën demokratike të zbatimit të ligjit dhe të vënies në jetë të drejtësisë, parime këto që janë pjesë e personalitetit, angazhimit dhe përkushtimit të Kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota, i cili është një figurë e dëshmuar, me vlera të rralla të trashëguara nga prejardhja familjare, nga lufta e UÇK-së, nga shtetndërtimi i Republikës së Kosovës dhe i pavarësisë së saj”, thuhet në komunikatën e PDK-së së Klinës.

Sipas komunikatës së degës së PDK-së në Klinë, i gjithë angazhimi dhe përkushtimi i Bashotës për zhvillimin e Komunës së Klinës dhe për krijimin e raporteve të shkëlqyera ndërnjerëzore, ka sfiduar çdo barrierë, qoftë politike, fetare, racore e familjare, vlera këto që, sipas tyre, nuk mund t’i posedojë gjithkush prej personaliteteve publike, as gjithkush prej qytetarëve.

“Tregues për këto vlera të z. Sokol Bashota është vlerësimi i Sovranit mbi të cilin ndërtohet Demokracia dhe Shteti, pra është vota e lirë e qytetarëve të Klinës, të cilët prej vitit 2007 e votuan shumëherë më shumë se çdo kandidat tjetër të partive të tjera politike, për të qenë në krye të Komunës, aty ku është sot dhe ku do të jetë edhe shumë vite të tjera”, thuhet në këtë komunikatë.

Kryesia e Degës së PDK-së në Klinë shpreh mbështetjen dhe besimin e plotë ndaj punës, etikës, profesionalizmit dhe zbatimit të ligjshmërisë nga ana e Kryetarit Bashota.

“Qytetarëve u themi se do ta kalojmë edhe këtë sfidë, sepse kemi tejkaluar sfida më të mëdha. Etiketimet, spiunimet, shantazhet janë në grahmat e fundit”, thuhet më tej në këtë komunikatë.

Kryesia e PDK-së në Klinë vlerëson se Institucioni i Pavarur i Qytetarit është ai që e ka vlerësuar dhe e vlerëson personalitetin e Kryetarit Bashota, prandaj sipas saj, denoncuesit, kushdo qofshin ata, nga taborret politike, civile apo shtetërore, të gjithë do ta mbjellin turpin e vet, sepse “nuk mund të fitosh vlera kur nuk ke vlera, as nuk mund të kesh vlera duke u munduar të shkatërrosh vlera”, vlerëson PDK-ja e Klinës.

Kryesia e PDK-së, Dega në Klinë, po ashtu ka shprehur indinjatën dhe shqetësimin edhe kundër, siç thotë në reagimin e saj “kalemxhinjve të shitur të disa medieve dhe portaleve në Kosovë, të cilat i ranë kot daulles, jashtë çdo etike profesionale që duhet ta ketë informacioni publik për qytetarin”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat