Vjedhja e pyjeve, shteti humbi në 1603 lëndë

Kosova

Vjedhja e pyjeve, shteti humbi në 1603 lëndë

Më: 6 shkurt 2016 Në ora: 07:47

Vjedhja e pyjeve që nga viti 2001 deri në vitin 2014, është vepra penale që është parashtruar më së shumti me gjithsej 1783 lëndë, por vetëm gjatë vitit 2013-14, shteti humbi të drejtën e zbatimit të sanksioneve penale për 1603 lëndë për vjedhje pylli.

Kështu thuhet në një raport monitorues të organizatës Çohu, sipas të cilit pyjet në Kosovë mbulojnë 481.000 hektarë, ose 45% të sipërfaqes së përgjithshme. Kurse, prerja e pyjeve konsiderohet të jetë tepër e lartë.

“ Nga të gjitha prerjet vjetore të pyjeve, 86% klasifikohen si prerje e paregjistruar. Kjo shifër sipas të gjitha standardeve është e lartë. Kjo gjendje e rëndë e pyjeve nga prerjet ilegale pasqyrohet edhe me numrin e lëndëve për vjedhje pylli në gjykatat e Kosovës. Përveç numrit të lartë të lëndëve edhe parashkrimi i këtyre lëndëve është tepër i lartë. Vepra penale vjedhje e pyllit është vepra më e parashkruar ndër vite. Në raportin monitorues të realizuar nga Organizata Çohu! për komplet parashkrimin e lëndëve nga viti 2001 deri në vitin 2014 rezulton që vepra penale që është parashkruar më së shumti është vjedhja e pyllit neni 358/285 me gjithsej 17 83 lëndë të parashkruara. Qëllim i këtij monitorimi përveç adresimit të çështjes së mjedisit përmes trajtimit të këtyre lëndëve në gjykata, janë edhe sfidat që gjykatat themelore si dhe degët e tyre hasin në trajtimin e këtyre lëndëve. Reformimi i sistemit gjyqësor në Kosovë solli ndryshime për gjykatat e Kosovës përfshirë emërtimindhe strukturën e tyre. Si pjesë e reformimit të sistemit gjyqësor ishte edhe rritja e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në gjykatat dhe prokuroritë e vendit. Ky aspekt i reformës krijoi infrastrukturën njerëzore të domosdoshme për fillim e menaxhimit më të mirë të lëndëve si dhe parandalimin e parashkrimit/vjetërsimit të lëndëve penale që është ndër problemet madhore në gjykatat e Kosovës. Përkundër reformës gjykatat e Kosovës ende ballafaqohen me probleme të mëdha. Bazuar në të gjeturat e këtij raporti vetëm gjatë vitit 2013 dhe 2014 shteti humbi të drejtën e zbatimit të sanksioneve penale për 1603 lëndë për vjedhje pylli”, thuhet në komunikatën e kësaj organizate.

Sipas Çohut, parashkrimi i veprës penale vjedhje e pyllit është jashtë çfarëdo standardi e lartë, përfshirë këtu parashkrimin absolut dhe atë relativ.

“Edhe pse në përgjithësi parashkrimi i lëndëve penale është i papranueshëm, parashkrimi relativ paraqet shqetësim më të lartë, sidomos pasi kjo mbetet përgjegjësi e gjyqtarëve dhe vjen si pasojë e mos ndërmarrjes së asnjë veprimi për lëndët në fjalë. Shumë lëndë, si rezultat i grumbullimit të tyre ndër vite, në momentin e shqyrtimit veçse kanë arritur në fazën e parashkrimit.Krahasimi i të dhënave nga viti 2013 dhe 2014 tregon një rënie të parashkrimit për lëndët vjedhje e pyllit për 39,54%, që mund të konsiderohet si indikatorë që shtimi i numrit të gjyqtarëve ka dhënë rezultat në trajtimin e lëndëve. Ndër problemet me të cilat përballen gjy katat janë dehe mungesa e të dhënave elementare në lëndët penale i cili përveç që paraqet problem madhorë dhe pamundëson trajtimin e këtyre lëndëve. Për vite gjykatat u ngarkuan me lëndë, edhe ashtu të shumta në numër dhe me pamundësi trajtimi, të cilat në mungesë të të dhënave për personat e akuzuar janë lëndë që domosdo përfundojnë në parashkrim”, thuhet në komunikatë.

Një element tjetër që ky monitorim vë në pah është edhe masa ndëshkimore e cila në përgjithësi konsiderohet e ulët. Për më tepër kur masa ndëshkimore dënim me burg aplikohet shumë pak duke krijuar tendencë që shkelësit të dënohen me gjoba ose me kusht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat