Sherifi: Te presidentja vetëm për datën e zgjedhjeve

Kosova

Sherifi: Te presidentja vetëm për datën e zgjedhjeve

Më: 5 shkurt 2016 Në ora: 19:46

Presidentja, Atifete Jahjaga ka ftuar për të hënën në një takim të radhës liderët e partive politike, për të gjetur një zgjidhje për të dalë nga kriza politike.

Por, një ftesë të tillë Nisma për Kosovën nuk do ta marrë parasysh. Të paktën kështu ka thënë sekretari organizativ i Nismës, Bilall Sherifi.

“Sa i përket takimit të së hënës Nisma nuk do të merr pjesë në takime sa për t’u takuar. Nëse presidentja thërret takim me rend të ditës organizimi i zgjedhjeve të parakohshme atëherë shkojmë, për takime tjera mendojmë se nuk ndihmojnë në zgjidhjen e krizës”, ka thënë Sherifi.

Ai më pas ka theksuar se opozita e bashkuar deri më tani në vazhdimësi i është përgjigjur ftesave të presidentes në funksion të tejkalimit dhe zgjidhjes së krizës politike, kurse presidentja asnjëherë nuk i është përgjigjur kërkesave të opozitës.

“Ne ia dërguam asaj peticionin e mbi 205 000 nënshkrimeve të qytetarëve dhe nuk morëm asnjë përgjigje nga ajo. Ia dërguam një letër, e cila është bërë publike për opinionin, përmes së cilës kërkuam nga ajo që të bëj veprimet e nevojshme për të shpallur zgjedhjet e parakohshme. Përkundër kësaj ajo nuk e pa të arsyeshme që së paku të shkruaj dy fjalë për t’i thënë opozitës se pajtohet apo nuk pajtohet me këto kërkesa”, ka theksuar Sherifi, duke shtuar më pas se deri më tani, presidentja në vazhdimësi ka injoruar kërkesat e opozitës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat