Qeveria dhe BSPK të përkushtuara për bashkëpunim dhe dialog

Kosova

Qeveria dhe BSPK të përkushtuara për bashkëpunim dhe dialog

Më: 5 shkurt 2016 Në ora: 17:04

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka mbajtur konferencë për media me përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, të udhëhequr nga kryetari, Haxhi Arifi, ,ministrin e Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi dhe ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.

Mustafa theksoi se Qeveria e Kosovës mirëpret deklarimin e anëtarëve të BSPK-së, që çështjet në Kosovë të zgjidhen me dialog, të zgjidhen në Kuvendin e Kosovës, të zgjidhen përmes rrugëve institucionale, dhe jo me protesta të dhunshme.

“Ne së bashku me zëvendëskryeministrin Thaçi dhe ministrin Abrashi kemi pas takime me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura, me kryetarin e Bashkimit, por edhe me përfaqësuesit tjerë të Federatave të Sindikatave të vendit. Unë i kam njoftuar lidhur me aktivitetet të cilat po i ndërmerr Qeveria në zhvillimin ekonomik, në rritjen ekonomike, në hapjen e mundësive për punësim, por edhe në masat e drejtpërdrejta të cilat Qeveria i ka marr në përmirësimin e jetës së qytetarëve të vendit”, ka thënë Mustafa.

Ai theksoi se i ka njoftuar ata për aktivitet e Qeverisë në fushën e legjislacionit, sidomos të atij që ka të bëjë me krijimin e ambientit për zhvillim ekonomik, në rend të parë me Ligjin për Investime Strategjike, dhe ligjet e tjera të cilat mund të hapin mundësi të ardhjes së investitorëve të huaj, dhe rrjedhimisht rritjes së aktiviteteve ekonomike, të përmirësimit të numrit të punësuarve dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve të vendit.

“I kam njoftuar edhe për projektet e mëdha për të cilat ne do të fillojmë në realizimin e tyre në Kosovë, veçmas në projektin e ndërtimit të një Termocentrali të ri që është një investim prej mbi 1 miliard euro, si investim kapital më i madhi në Kosovë, i cili vetëm në fazën e tij të ndërtimit, do të angazhojë diku prej 5 mijë deri në 8 mijë punëtorë, dhe do të ketë efekte pastaj edhe të punësimit në të ardhmen, por edhe efekte në krijimin e bazës energjetike për zhvillimin ekonomik. Por, po ashtu, edhe në pritjet tona që ta realizojmë edhe një projekt shumë të madh të fushës së turizmit në Brezovicë”, ka thënë tutje Mustafa.

Ai tha se i ka njoftuar për masat që i kanë ndërmarr në Qeveri për sigurimin e buxhetit, për rritjen e pagave, përkatësisht aplikimit të përvojës në bazën e pagave, sepse ajo paraqet rritje reale të pagave, për ndihmat sociale, të cilat i kanë rrit për 25 për qind, për sigurimin e fondeve për pensionet kontribut-dhënëse, si dhe për pensionet e veteranëve të luftës.

“Kemi biseduar për çështjet e efekteve të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, që do të jenë shumë të mëdha në zhvillimin ekonomik, si marrëveshje e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian, dhe po ashtu si një mundësi që të na hapet dera për integrime evropiane dhe euroatlantike. U pajtuam bashkërisht se ne duhet të ndërtojmë partneritet me miqtë tanë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendet e Bashkimit Evropian dhe me të gjitha vendet tjera demokratike në mënyrë që ata t’i besojnë këtij vendi, edhe në pikëpamje të përkrahjes së zhvillimit social, të zhvillimit arsimor, zhvillimit kulturor, zhvillimit shëndetësor, sepse të mbyllur, të izoluar dhe në konflikt me të tjerët ne nuk mund ta zhvillojmë vendin tonë”, ka shtuar Mustafa.

Ndërsa, zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, potencoi rëndësinë e thellimit të partneritetit mes Qeverisë dhe sindikatave, në mënyrë që objektivat të realizohen përmes dialogut.

“Bile mund të them se jam shumë entuziast nga ato deklarime, qëndrime të shumë njerëzve sindikalistë që kanë realizuar objektivat e tyre, qoftë pensionistëve, qoftë punëtorët e arsimit, qoftë punëtorët e shëndetësisë, veteranëve të luftës, familjarët e dëshmorëve të luftës, invalidëve të luftës, minatorëve, dhe të gjitha kategorive të shoqërisë kosovare. Mund të them me përgjegjësinë më të lartë se sot punëtoria kosovare është në një pozicion shumë më të mirë se sa shumë punëtori të vendeve të rajonit. Natyrisht, synimi ynë është gjithmonë standardi evropian dhe kriteret evropiane”, ka thënë ai.

Thaci e falendëroi Arifin për qëndrimin e tij të qartë kundër protestës dhe kundër dhunës, por në favor të dialogut për zgjidhjen e problemeve. Dhe kjo është edhe filozofia për mbrojtjen e shtetit”, ka theksuar Thaçi.

Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, potencoi se në këto takime, është biseduar lidhur me programin e sindikatave për këtë vit, duke theksuar se zgjidhja e problemeve duhet të bëhet gjithmonë duke respektuar institucionet.

“Përmes partneritetit që e kemi me Këshillin Ekonomiko-Social, Qeveri-Punëdhënës-Punëmarrës, kemi ardhur deri te zgjedhja e afër 70 për qind të kërkesave tona vitin e kaluar. Këtë vit ishte diçka e mirë që kryeministri na ftoj prapë, që të prezantojmë se çfarë është realizuar dhe çfarë synojmë të realizojmë sivjet, përmes mekanizmit që e kemi në Këshillin Ekonomiko-Social. Ne i kemi dhënë përparësi dialogut dhe kështu do të vazhdojmë. Dhe përmes këtij dialogu, duke i prezantuar problemet ndoshta edhe të përditshme, nga Federatat dhe nga BSPK-ja do të gjejmë shprehje, në kuptimin pozitiv, që t’i realizojmë”, theksoi Arifi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat