Shpend Ahmeti, kandidat i Opozitës për kryeministër (Video)

Kosova

Shpend Ahmeti, kandidat i Opozitës për kryeministër (Video)

Më: 5 shkurt 2016 Në ora: 16:23

Në karrigen në të cilën dikur ishte ulur Isa Mustafa si i pari i Prishtinës aktualisht qëndron Shpend Ahmeti i Lëvizjes Vetëvendosje. Por ambiciet e Ahmetit dhe partisë së tij Lëvizjes Vetëvendosje nuk përfundojnë me kaq.

Shpend Ahmeti, kurdo që do të mbahen zgjedhjet e parakohshme po synon bashkë me partinë e tij që t`ia zë sërish karrigen Isa Mustafës, por kësaj radhe atë të kryeministrit të Kosovës.

Krejt këtë rrugë drejt të parit të Qeverisë, ai po synon të realizoj bashkë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Burime të sigurta të RTV Dukagjinit kanë rrëfyer se si tri partitë opozitare ajo e Visar Ymerit, Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt janë pajtuar në parim që në rast të zgjedhjeve të parakohshme të garojnë me një listë të përbashkët dhe kandidat për kryeministër të jetë Shpend Ahmeti.

Ndërkohë radhitja e listës zgjedhore e tri partive opozitare sipas këtyre burimeve, do të jetë nga një kandidat nga secila parti, duke filluar nga VV më pas AAK, NISMA por që i katërti në listë zgjedhore do të jetë një kandidat nga shoqëria civile apo edhe ndonjë kandidat i pavarur.

Në këtë mes është menduar edhe të dilet me propozime për pozitën e kryeministrit që deri tash favorit mbetet kryetar aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjegjësisht lideri i saj Ramush Haradinaj është pajtuar në këtë marrëveshje të marr drejtimin e Kuvendit të Kosovës, konkretisht pozitën e kryeparlamentarit.

Partia e Fatmir Limajt është e lumtur me renditjen në listën zgjedhore por që Visar Ymeri e Ramush Haradinaj kanë menduar mos të lënë keq kur bëhet fjala për ndarjet e dikastereve as Limajn dhe njerëzit e partisë së tij.

Burimet më tej kanë thënë se negociatat e tri partive opozitare nuk kanë munguar as me përfaqësues të shoqërisë civile por edhe me ndonjë kandidat të pavarur në mënyrë që në listën e përbashkët zgjedhore të ketë persona edhe nga kjo shtresë.

Kur për gjithçka kishin rënë në ujdi liderët e tri partive, zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes kanë pasur edhe një kërkesë për dy partitë opozitare.

Përveç synimit të marrjes së Qeverisë, ata kanë kërkuar që në zgjedhjet lokale, AAK dhe NISMA të përkrahin kandidatin e VV-se për Kryetar të Prishtinës e që sipas burimeve ai është Dardan Sejdiu.

Ky i fundit do të bëhej kandidatë për Prishtinë në zgjedhjet e parakohshme pasi që Shpend Ahmeti do të merrte pozitën e kryeministrit.

Se duhet të ketë program qeverisës por edhe emra konkretë se kush do ta drejtoi qeverinë nga tri partitë opozitare, ka folur në RTV Dukagjini edhe Iilir Deda deputet i VV.

Ai ka thënë se kjo duhet të përcaktohet në mënyrë që sipas tij qytetarët ta dinë se kë janë duke e votuar si udhëheqës të Qeverisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat