Paraplegjikët dhe Tetraplegjikët pa ligj deri më 2017-ën

Kosova

Paraplegjikët dhe Tetraplegjikët pa ligj deri më 2017-ën

Më: 5 shkurt 2016 Në ora: 15:21

Aprovimi i ligjit për të drejtat dhe statusin e personave paraplegjik dhe tetraplegjik, parashihet që të fillojë në vitin 2017. Kështu u tha në mbledhjen e sotme të Komisionit për të Drejtat e Njeriu, Barazi Gjinore për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Në këtë mbledhje si pika të rendit të ditës ishte shqyrtimi i projektligjit për të drejtat dhe statusin e personave paraplegjik dhe tetraplegjik dhe shqyrtimin e disa peticioneve.

Në lidhje me pikën e parë u diskutuan sfidat strategjike dhe financiare të cilat mund t’i ketë ky ligj në implemetim.

Deputeti Nenad Rashiq sfidë strategjike konsideroi se është, se cili institucion do të kujdeset për implementimin e këtij ligji, pasi sipas tij ka shumë ligje që në letër janë të mira por nuk ka institucion që është i obliguar ta zbatojë atë.

Ndërsa sfidë financiare ai e paraqiti edhe mënyrën e financimit të pajisjeve që do të blihen për personat paraplegjik dhe tetraplegjik.

Rashiq, tha po ashtu se do të ketë sfida edhe me Komisionin për Financa, duke shtuar se nuk duhet të dilet në debat publik pa marrë dritën jeshile për aprovim të ligjit.

Rashiq: Do të kemi sfida me Komisionin për Financa

“Jam i sigurt që do të kemi sfida edhe në biseda me komisionin për financa në veçanti. Por, nëse i shpjegojmë mirë që kjo ashtu duhet të shkojë besojë që pranojnë edhe ata. Nuk kisha dashtë që të dalim në debat publik pa pas dritën jeshile sa i përket aprovimit të ligjit, sepse nëse e pëson të gjitha këto modifikime e gjithë puna që e kemi bërë del në pikëpyetje”, tha ai.

Ndërsa kryetarja e këtij komisioni, Lirije Kajtazi tha se duhet një komunikim më intern me Komisionin e Financave duke i argumentuar gjërat.

Kajtazi: Duam të shkojmë në komunikim intern

“Ne po duam ta shikojmë një komunikim më intern për me i bindë pak më tepër sepse ata ndoshta për mos me i’u duk tepër e lartë munden me refuzu. Në atë shqyrtimin e fundit që ia bëjnë si komision i përhershëm dhe për mos me ardh te refuzimi desha me shfrytëzu atë komunikimin pak më të drejtë për drektë, ku ne I argumentojmë pak më shumë gjërat që edhe ku hyn pak më tepër kur .. problematike e cila thellohet sepse di që ata e shikojmë totalin e buxhetit”, tha ajo.

Ndërsa në lidhje me institucionet që do ta implementojnë këtë ligj, Salihe Mustafa nga PDK, tha se nuk janë qartësuar mirë kompetencat e komunave duke kërkuar që kjo duhet të precizohet.

Mustafa: Nuk i kemi qartësuar kompetencat e komunave

“Nuk e kemi qartësuar mirë te kompetencat e komunave, sepse këta individ janë të shpërndarë nëpër komuna. I ka disa obligime MSH, por megjithatë shëndetësia primare është në kompetenca të komunave dhe mendojë se ne si grup punues na duhet ende. Për momentin nuk kam propozim. Por, na duhet me precizu se si do të vije të pacienti. Shëndetësia primare kur kanë nevojë për mjetet për inkontinencë. Si, ta precizojmë, ta obligojmë secilin institucion”, tha ajo.

Në këtë mbledhje ishte prezent edhe Afrim Maliqi, përfaqësues i Handikos-it, i cili tregoi se qëllimi i tyre është të rregullohet statusi ligjor dhe të drejtat e personave të cilët për shkak të sëmundjeve apo dëmtimit kanë humbur në formë të përhershme mundësinë e zhvendosjes dhe lëvizjes së ekstremiteteve të poshtme apo të sipërme të cilët sipas tij duhet të marrin kompensime mujore për shërbimet e tyre ditore, ku kërkoi që kjo të fillohet në vitin 2017 ndërsa rehabilitimi dhe pajisjet mund të vijnë pasi që të bëhet edhe vlerësimi i të gjithë personave.

Në këtë mbledhje të këtij komisioni u diskutua edhe për disa peticione të drejtuar këtij komisioni si ai i Refki Jasharit që është ankuar për një padrejtësi që i ështà « bërë për verifikimin dhe njohjen e statusit të veteranit dhe invalidit të luftës.

Mirëpo, sipas kryetares së këtij komisioni, Lirije Kajtazit, kërkesa nuk është në adresën e duhur sepse nuk i ka shterur mundësitë që shkojë në vijën kompetente në Komision Qeveritar për njohjen e statusit.

Sipas saj pasi të konsumohet ajo nëse ai del i pa kënaqur me një vendim të tillë mund të shihet në vazhdim por tani për tani lënda është për Komisionin Qeveritar për verifikim të statusit të tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat