VV: Të dënohet Kryetari Sokol Bashota (Foto)

Kosova

VV: Të dënohet Kryetari Sokol Bashota (Foto)

Më: 5 shkurt 2016 Në ora: 12:42

Vetëvendosje kërkon nga prokuroria që ta kryejë punën e vet duke hetuar të gjitha rastet e korrupsionit dhe keqpërdorimeve të bëra nga Bashota dhe ekipi i tij.

Dje me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës është bastisur Komuna e Klinës dhe shtëpia e Kryetarit Bashota. Ky veprim ka ardhur si rezultat i Kallëzimit Penal të ushtruar nga Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Klinë në tetor të vitit të kaluar.

“Ne kërkojmë nga prokuroria që ta kryejë punën e vet duke hetuar të gjitha rastet e korrupsionit dhe keqpërdorimeve të bëra nga Bashota dhe ekipi i tij, si dhe dëmet që ata i kanë shkaktuar qytetarëve të Klinës. Ne i garantojmë qytetarët e Klinës se Vetëvendosje do të vazhdojë me denoncimin dhe luftimin e së keqes kudo dhe kurdo që ajo shfaqet”, tha në konferencën e sotme Shqipe Pantina, deputete e Vetëvendosje dhe koordinatore e Qendrës së Klinës.

Dyshimet e ngritura nga prokuroria speciale janë vetëm disa nga shkeljet e evidentuara të Kryetarit Bashota dhe ekipit të tij, ndërsa lista e keqpërdorimeve dhe shkeljeve për fat të keq është shumë më e gjatë dhe daton qysh nga ardhja e tij në pushtet.

“Punësime pa kritere dhe pa konkurs, financime të projekteve pa i përfillur procedurat e tenderimit, vendime të marra nga njerëz që kanë konflikte të hapura interesi, janë veprime të zakonshme të Kryetarit Bashota dhe ekipit të tij e për të cilat ai asnjëherë nuk ka dhënë llogari as para asamblesë komunale e as para qytetarëve”, u shpreh Skender Merturi, asamblist i Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Klinës.

Për të gjitha këto veprime të jashtëligjshme Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar më kohë, si tek çështja e banesave të cilat i janë ndarë zyrtarëve komunale; çështja e ujit të pijshëm ku janë investuar më se 2 milionë euro dhe prapë pa sukses; mënyra e ndërtimit të sheshit të Klinës ku nuk janë përfillur procedurat e parapara me ligj; e të ngjashmë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat