Breedlove: NATO do ta vëzhgojë transformimin e FSK-së në FAK

Kosova

Breedlove: NATO do ta vëzhgojë transformimin e FSK-së në FAK

Më: 5 shkurt 2016 Në ora: 08:23

Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropë, gjenerali Philip Breedlove, tha se shndërrimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forca të Armatosura (FAK) duhet të realizohet në pajtim me fqinjët

Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropë, gjenerali Philip Breedlove, tha se shndërrimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forca të Armatosura (FAK) duhet të realizohet në pajtim me fqinjët dhe se NATO-ja do të vëzhgojë këtë proces. Ai po ashtu tha se paqeruajtësit e KFOR-i do të qëndrojnë në Kosovë për aq kohë sa do të jetë e nevojshme.

Këto deklarata gjenerali i NATO-s i ka dhënë në një konferencë të përbashkët me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Guglielmo Luigi Miglietta në Prishtinë.

Ai më tej ka thënë se FSK duhet të vazhdojë bashkëpunimin me KFOR-in në mënyrë që të përfitojë nga përvojat e këtij misioni. Breedlove është shprehur i kënaqur me sigurinë në Kosovë.

“NATO-ja mbetet e zotuar që të ruajë stabilitetin këtu, ne do të mbajmë një prezencë parandaluese dhe do të bëjmë ndryshime vetëm kur gjendja e Sigurisë e mundëson këtë gjë. Është proces që bazohet në kushte dhe ne do të mbesim një forcë e fuqishme, e aftë për të realizuar misionin për aq kohë sa nevojitet”, ka deklaruar Breedlove, duke thënë se gjatë tri viteve prej se e viziton Kosovën ka parë që është bërë progres i madh se KFOR-i ka kryer me sukses obligimet e veta për sigurinë dhe lëvizjen e lirës, shkruan Zëri.

I pyetur se a është e gatshme FSK-ja për t’u transformuar në Forca të Armatosura dhe se a mund të pengojnë përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë këtë transformim, ai ka thënë se NATO-ja do ta mbikëqyrë këtë proces, mirëpo, sipas tij, për këtë transformim është mirë të ketë pajtim edhe me fqinjët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat