​Sot ka ditëlindjen ish-presidenti Ibrahim Rugova

Kosova

​Sot ka ditëlindjen ish-presidenti Ibrahim Rugova

Më: 2 dhjetor 2015 Në ora: 07:33

Ish presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova po të ishte gjallë do të festonte 71 vjetorin e lindjes. Ai ka lindur më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cërcë të Istogut dhe ka vdekur më 21 janar të vitit 2006.

Ibrahim Rugova mbaroi shkollimin e mesëm në Pejë më 1967. Diplomoi në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës më 1971.

Ibrahim Rugova mori doktoratën në letërsisë në Universitetin e Prishtinës më 1984.

Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës.

Rugova është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës më 1988, i cili u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare që po kundërshtonte sundimin komunist serb/jugosllav në Kosovë.

Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.

LDK-ja u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbl edhur shumicën e popullit, edhe pse në ndërkohë u shfaqën në skenë edhe parti e grupe të tjera.

Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992.

LDK-ja fitoi shumicën dërrmuese të deputetëve në Kuvend, në të cilin përfaqësoheshin edhe tri parti të tjera, ndërsa Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës me shumicë dërrmuese të votës.

Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Partia e tij, LDK, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës në atë vit.

Pas luftës LDK-ja i fitoi të gjitha zgjedhjet e organizuara ndërsa që nga viti 2002–2006, ishte president i Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat