Delawie: Qëndrimi i SHBA-së i qartë, dhuna e papranueshme

Kosova

Delawie: Qëndrimi i SHBA-së i qartë, dhuna e papranueshme

Më: 1 dhjetor 2015 Në ora: 22:40

Ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie, ka thënë se qëndrimi amerikan karshi zhvillimeve në Kosovë, është i qartë se dhuna është e papranueshme.

“Sa i përket gjendjes politike në vend, mendoj se jam përpjekur që ta bëj të qartë gjatë muajve të shkuar se qëndrimi i SHBA-së për përdorimin e dhunës si taktikë politike, kundërshtohet nga ne sepse ne mendojmë se dhuna nuk ka vend në demokraci”, i ka thënë Delwaie RTK-së.

“Për këtë arsye mendoj se kam qenë mjaft i qartë rreth qëndrimit të SHBA-së për gjendjen në Kosovë”, ka thënë ai.
I pyetur pse vjen sekretari i Shtetit, Kerry në Kosovë, ambasadori amerikan Delwaie u përgjigj:

Në thelb ai po vjen për ta shprehur përkrahjen dhe miqësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës. Mendoj se do të flasë rreth çështjeve për të cilat kam folur edhe unë qysh se kam ardhur këtu para disa muajve si: sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik dhe siguria rajonale.

Është interesante se Sekretari Kerry është në një udhëtim nëpër shumë vende evropiane, por Kosova është njëra nga vendet e pakta ku do të bisedojë më shumë për çështjet dypalëshe e jo vetëm për çështjet shumëpalëshe.

Ambasadori ka sqaruar se vizita e tij përbëhet nga tri pjesë. E para, do të takohet me kryeministrin Mustafa, zëvendës-kryeministrin Thaçi dhe zëvendës-kryeministrin Stojanoviq, me të cilët do të bisedojë rreth çështjeve dypalëshe dhe politike. Gjatë pjesës së dytë të vizitës, për të cilën jam tepër i lumtur, do të takohet me një dyzinë a ca të rinj kosovarë, që kanë marrë pjesë në programet edukative apo të shkëmbimit të sponsorizuara përmes qeverisë amerikane, si: Programi Fulbright, Programi Access apo Programi Ndërkombëtarë për Udhëheqës (IVLP).

E dini, qysh prej se jam nominuar për këtë post e kam thënë se gjithçka bëhet për të rinjtë e Kosovës dhe për këtë duhet të vazhdojmë të punojmë për të ardhmen e Kosovës dhe jam shumë i lumtur që sekretari Kerry do ta ndajë pak kohë për t’u takuar me disa të rinj kosovarë. Elementi i tretë ka të bëjë me dhënien e një deklarate për shtyp.

Ambasadori Delwaie i është përgjigjur edhe interesimit nëse sekretari i Shtetit Kerry po e viziton Kosovën për shkak të gjendjes së tanishme politike.

“ Jo. Në të vërtetë, ky udhëtim është planifikuar shumë kohë më parë. Siç e përmenda, ai në fakt vjen për të biseduar për zhvillimin ekonomik, sigurinë rajonale, sundimin e ligjit. Sa i përket gjendjes politike, mendoj se gjatë muajve të shkuar jam përpjekur ta bëj të qartë qëndrimin e qeverisë amerikane rreth përdorimit të dhunës si taktikë politike në Kosovë. Ne e kundërshtojmë përdorimin e dhunës në Kuvend, mendojmë se dhuna nuk ka vend në demokraci, ne ndjejmë se të gjithë qytetarët duhet t’i nënshtrohen ligjit pa marrë parasysh rangun apo pozitën e tyre.

Prandaj, mendoj se kam qenë shumë i qartë rreth qëndrimit të qeverisë amerikane për gjendjen e tanishme politike. Pra, Sekretari Kerry do të bisedojë për ato çështjet e tjera që i përmenda”, ka thënë ambasadori.

Se cila do të jetë porosia e tij për Qeverinë e Kosovës, sipas ambasadorit Delwaie do jenë disa. “Para së gjithash: miqësia dhe mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën. E dyta, mendoj se do të flasë rreth dialogut me Serbinë dhe rëndësisë së mbajtjes së momentumit rreth kësaj meqenëse kjo është rruga e vetme për integrimin e plotë të Kosovës në institucionet evropiane.

Ai do të flasë edhe rreth përparimit për krijimin e Gjykatës Speciale, si dhe për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, i cili është problem në tërë rajonin e Ballkanit. Me siguri do të flasë edhe rreth sundimit të ligjit dhe mbështetjes për zhvillimin demokratik të Kosovës.

Sundimi i ligjit është i rëndësishëm jo vetëm sa i përket luftimit të korrupsionit, e natyrisht që kjo është shumë e rëndësishme, por është çështje ekonomike fundamentale për Kosovën. Investitorët e huaj, të cilët janë thelbësorë për rritjen e ekonomisë së Kosovës do të investojnë vetëm në ato vende ku e ndjejnë se do të trajtohen siç duhet nga gjykatat dhe ku zbatohet ligji.

Por, mendoj se në thelb, porosia kryesore e Sekretarit Kerry do të jetë se SHBA-ja përkrah Kosovën, SHBA-ja përkrah zhvillimin demokratik të Kosovës dhe se SHBA-ja përkrah integrimin e plotë të Kosovës në Evropë dhe që këto janë çështjet për të cilat SHBA-ja ka punuar qe 15-16 vjet e më shumë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat