Opozita të shtunën nis me manifestime nëpër qendrat e Kosovës kundër marrëveshjeve

Kosova

Opozita të shtunën nis me manifestime nëpër qendrat e Kosovës kundër marrëveshjeve

Më: 1 dhjetor 2015 Në ora: 18:52

Opozita do të nisë organizimin e manifestimeve në qendrat e Kosovës për të kundërshtuar marrëveshjet për Asociacionin dhe Demarkacionin me Malin e Zi.

Komuna e Gjakovës do të jetë vendi ku opozita do të nisë manifestimet kundër marrëveshjeve, por kundërshtimi do të ndodhë edhe në Kuvend.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj tha në një konferencë për media, se dje ka qenë një ditë e rëndë në Kosovë, por jo e vetmja, pasi kësaj i parapriu dita e shtunë, e cila kishte dy pjesë, të cilat bashkë me ngjarjet e djeshme në Kuvend e kanë sjell vendin në një pikë kritike.

Sipas Haradinajt, ishte ajo pjesa e mirë e zërit qytetar për marrëveshjet me manifestimin e opozitës ku ishin mijëra qytetarë dhe pjesa e dytë ishte ndërhyrja në Lëvizjen “Vetëvendosje”, arrestimi i aktivistëve dhe deputetit Albin Kurti.

Haradinaj: Do të fillojmë kundërshtimin me manifestime nëpër qendrat e Kosovës

“AAK si njëri nga partnerët e opozitës së bashkuar për këto dy tema sot konfirmon se do të vazhdoj palëkundshëm kundërshtimin e marrëveshjeve në mënyrën si është bërë deri me sot, brenda Kuvendit dhe jashtë Kuvendit. Po ashtu në përkrahje të deputetëve në seancë, jashtë parlamentit. Por ka edhe një risi, me manifestime në qendrat e Kosovës. I pari vjen këtë të shtune. Gjakova manifeston kundër marrëveshjeve në orën 13:00. Opozita do të prezantoijë atje deputetët, meqë po na thonë se jemi të vetë përjashtuar, atëherë ne do t’i drejtohem qytetarëve”, tha Haradinaj.

Kreu i AAK-së, ripërsëriti se dialogu mes pozitës dhe opozitës është i mirëseardhur, por dialogu duhet të bëhet vetëm për anulimin e marrëveshjeve, e jo funksionalizimin e tyre.

Haradinaj theksoi se do të vazhdojnë kundërshtimin e marrëveshjeve edhe në Kuvend me mënyrat e njëjta si deri me tash, por edhe jashtë objektit të Kuvendit.

Haradinaj: Kundërsh timin në Kuvend do ta bëjmë si herëve tjera

“Në të kaluarën kam pasur rastin të them se fare nuk lavdërohemi me format e pengimit të këtyre seancave. Por kemi kapacitet për të vazhduar pengimin me ato mënyra pa ndalë, gjithnjë dhe çdo herë do të jemi aty, por nuk lavdërohemi me atë, nuk mendojmë që është diçka spektakulare, por jemi ndodhur në situata, po të mos reagonim do të ishin këto marrëveshje të fuqizuara. Edhe do të vazhdojmë në atë mënyrë si deri tani, ndoshta na bie ndërmend ndonjë risi, por në atë mënyrë po se po”, theksoi Haradinaj.

Ndërsa, për suspendimin e opozitës nga Kryesia e Kuvendit, me përjashtim të Ilir Dedës dhe Shukrie Bytyçit, ka folur ushtruesi i detyrës së shefit të grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj. Sipas tij, deklarimi i kryetarit Veseli se opozita është vetë përjashtuar, është i njëjtë me atë të regjimit të Millosheviqit, kur largonte punëtorët nga puna në vitet nëntëdhjeta.

Lekaj: Deklarimi i Kryesisë se jemi vetë suspenduar, si ai i Millosheviqit

“Mendoj që është jashtë Rregullores së Kuvendit. Dihet se Kryesia e merr vendime por ai vendim duhet të prezantohet në seancën e Kuvendit ku janë edhe deputetët prezent. Prandaj me këtë që e ka quajtur Kryesia se jemi të vetë përjashtuar, këtë e kanë bërë edhe në vitet 81, në vitet 90-ta kur i kanë larguar punëtorët dhe regjimi i Millosheviqit iu ka drejtuar që janë vetë larguar nga puna”, theksoi Lekaj.

Këtë e ka përkrahur edhe lideri i tij, i cili tha se po duket se po tingëllon ashtu, sepse edhe babai i tij ka pasur fatin të largohet nga puna, por që ka thënë se është vetë larguar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat