​Të rinjtë e Gjakovës lusin politikanët për dialog

Kosova

​Të rinjtë e Gjakovës lusin politikanët për dialog

Më: 1 dhjetor 2015 Në ora: 16:05

Organizata George Williams Youth Association in Kosovo –GWY, me seli në Gjakovë e cila punon më më shumë se 400 të rinj në këtë qytet dhe e cila është përfaqësuese e organizatës së parë dhe më të madhe të të rinjve në botë YMCA, po reagon ndaj situatës së fundit të krijuar në vend.

Kjo organizatë përmes një komunikate për media i bënë thirrje pozitës dhe opozitës në Kosovë që të ulën dhe të bisedojnë në mënyrë që të ofrojnë zgjidhje alternative të situatës, tashmë të tensionuar.

“Situata ka ngritur frikë, pasiguri dhe shqetësim tek popullata dhe sidomos tek të rinjtë. Të rinjtë ju shohin ju si udhëheqës dhe shembull i tyre, ndërsa ajo çfarë është duke u pasqyruar nga ju në seanca dhe jashtë tyre është një shembull shume i keq dhe jo profesional dhe i rrezikshëm për të rinjtë dhe të ardhmen e tyre”, thuhet në komunikatën e GWY .

Për këtë organizatë mbetet shqetësuese edhe përfshirja e fëmijëve dhe të rinjve në protesta, pasi siç thotë drejtuesja e kësaj organizate Dorina Lluka – Davies, është e jashtëligjshme dhe dëmton shëndetin, mirëqenien dhe sigurinë e fëmijëve dhe të rinjve në Republikën e Kosovës.

“Mos i përdorni të rinjtë për agjendat tuaja politike. Fuqizimi i rinisë bëhet me punë të ndershme, shembull në udhëheqje e jo me gaz lotsjellës, sprej, ofendime dhe dhunë. Ne qëndrojmë për fuqizim të rinisë, dëgjimin e zërit të tyre dhe mundohemi që të investojmë në mënyrë konstruktive në gjeneratat e tashme dhe të ardhme. Ne punojmë çdo javë me më shumë se 400 të rinj që ata të mos largohen nga vendi, por të shohin Kosovën si vend të jetesës se sigurt dhe punojnë për ndërtimin e saj”, thuhet më tutje në këtë komunikatë.

GWY bënë thirrje për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve, përdorim të dialogut dhe zbatim të demokracisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat