​Lansohet raporti Qasja gjithëpërfshirëse ndaj dhunës në familje në 7 komuna

Kosova

​Lansohet raporti Qasja gjithëpërfshirëse ndaj dhunës në familje në 7 komuna

Më: 1 dhjetor 2015 Në ora: 12:32

Zëvendësministri i Drejtësisë, njëherit Koordinator Nacional Kundër Dhunës në Familje, Lirak Çelaj, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e lansimit të raportit “Qasja Gjithëpërfshirëse dhe Multi-sektoriale ndaj Dhunës në Familje në 7 komuna”, të përkrahur nga UN Women dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Gjatë kësaj ceremonie Çelaj theksoi se dhuna familjare që ka konotacione të forta të dhunës në baza gjinore, ka shtrirje të madhe në nivel global dhe prek edhe shtetet me indeks të lartë të zhvillimit njerëzor, por shtetet në tranzicion që përballen me sfida të shumta socio-ekonomike dhe ridimensionim të vlerave tradicionale janë më të afektuar.

“Mund të duket ideale, utopike, por personalisht kam besim që gjeneratat e reja që po edukohen dhe po u ekspozohen vlerave të mirëfillta të paqes dhe harmonisë janë ata që do të sjellin ndryshimin në shoqëri, duke i aplikuar këto vlera në familjet që do të krijojnë e ku dhuna nuk do të jetë mjet disiplinues apo metodë e zgjidhjes së konflikteve ndërpersonale e familjare”, theksoi Çelaj.

Në cilësinë e Koordinatorit Nacional Kundër Dhunës në Familje, Çelaj ka vlerësuar lart punën e mekanizmave koordinues komunalë të cilët ka në ndikuar që të forcohet bashkëpunimi ndërmjet institucioneve që janë pjesë e mekanizmit, në një koordinim më të mirë mes tyre e mbi të gjitha në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për të mbijetuarat e dhunës në familje.

Sa i takon çështjes së dhunës në familje, tha Çelaj, ekipi përgjegjës që po punon në hartimin e programit të Kosovës kundër Dhunës në Familje dhe Planit të Veprimit ka propozuar që koordinimi të listohet si shtyllë e veçantë e programit, krahas tri shtyllave në të cilat bazohet programi e që janë parandalimi, mbrojtja-trajtimi dhe riintegrimi.

“Falë punës së UN Women dhe agjencioneve të Kombeve të Bashkuara, zyra e Koordinatorit Nacional ka një pikë referimi me të cilën mund të bashkëpunojë ngushtë, që janë mekanizmat koordinues komunal në tre pilot komunat”, tha Çelaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat