Ahmeti, Grabovcit: Je bërë komik për shtatoren e ‘Adem Jasharit’

Kosova

Ahmeti, Grabovcit: Je bërë komik për shtatoren e ‘Adem Jasharit’

Më: 1 dhjetor 2015 Në ora: 10:22

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se situata në Kuvend mbrëmë ishte tragji-komike, duke parë që Adem Grabovci bënte si i mërzitur se si që 16 vite nuk ka shtatore të ‘Adem Jasharit’ në Prishtinë.
Ai shprehet në Facebook se pasi përjashtuan opozitën nga Kuvendi, shfaqet hipokrizia e skajshme e disa deputetëve dhe fatkeqësisht, kjo hipokrizi e ka kap pushtetin në Kosovë që sa vite.

“Është tragjike dhe në të njëjtën kohë komike se si Adem Grabovci bënte si i mërzitur se si qe 16 vite nuk ka shtatore të Adem Jasharit në Prishtinë. Përgjigjen e kishte pak metra më larg tek partneri i koalicionit, ose te Isa Mustafa, ose te shefi i grupit parlamentar të LDK. Por, më me rëndësi se shtatorja e Adem Jasharit, është me rëndësi ideali i Adem Jasharit për të cilën u flijua e gjithë familja. Kur përjashtohet e gjithë opozita për qëllime të Serbisë, besoj se e dimë të gjithë se çka do të thoshte Adem Jashari. Mungesa e shtatorës nuk është asgjë në krahasim me mungesën e idealit të tij në radhët tuaja. Prandaj, nganjëherë më mirë është mos me e përmend fare se sa me u bo horë me vajtime të rrejshme”, shprehet Ahmeti.

“Është tragjike se si disa deputetë bëjnë homazhe tek aktivistët e vrarë të pasluftës paradite, dhe pasdite hanë dreka me njerëzit të cilët qe sa vite i kanë akuzuar për vrasjen e atyre aktivistëve. Tashmë, as që kërkojnë hetime me zërin e njëjtë sepse karrigia e pushtetit është e ëmbël, për të përfituar në privilegje, si tenderë, banesa e ku di çka tjetër. E më pas vajtojnë për dy pllaka në shtatoren e Ibrahim Rugovës, e këndej shkelin me dy këmbë në idealet e tij. Edhe kësaj radhe, dy pllakat fizike nuk janë asgjë në krahasim me copat e trupit që i keni hjek nga ideali i Ibrahim Rugovës”, shprehet më tutje kryetari i komunës së Prishtinës.

Ai thekson se situata në Kosovë është larg idealeve të Adem Jasharit e Ibrahim Rugovës.

“Në këtë rrugë të padrejtë dhe larg idealeve të tyre ju po përjashtoni çdo kundërshtar që po mundohet me ndjek rrugën e tyre. Hipokrizia juaj është aq e shpërfaqur sa që është bërë e gërditshme dhe e padurueshme. Shteti nuk bëhet me pamje e imazhe. Demokracia nuk ndërtohet me pamje e imazhe. E as me shtatore. Ajo ndërtohet me ideale, përkushtim e qëndrueshmëri. Pushteti nuk është i përjetshëm. As për juve e as për askënd. E neve na mbetet që në çdo gjeneratë të kemi idealistë që të rezistojnë rrugët e padrejta sikurse puna juaj. Është koha që të reflektoni, sepse të tjerët tashmë kanë reflektuar për juve”, tha Ahmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat