Analistët kritikojnë pushtetin për arrestimin e Kurtit

Kosova

Analistët kritikojnë pushtetin për arrestimin e Kurtit

Më: 30 nëntor 2015 Në ora: 23:23

Analistët vlerësojnë se pushteti në Kosovë provokoi masën dhe partitë opozitare të shtunën e 28 nëntorit kur arrestoi njeriun që simbolizon Lëvizjen Vetëvendosje, Albin Kurti.

Të shtunën opozita në Kosovë organizoi një manifestim protestues kundër marrëveshjeve të nënshkruara nga Qeveria e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa.

Një protestë e tillë, ku morën pjesë qytetarë nga i gjithë vendi, u mbyll e qetë, deri në kohën kur Policia e Kosovës rrethoi zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje ku gjendej Kurti.

Analisti nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS , Dren Doli, shpreh kritika ndaj mënyrës së arrestimit të Kurtit dhe mbështetësve tjerë të opozitës.

Ai tha se e gjithë kjo, vie për shkak të “ interesave dhe inateve politike të zotit Mustafa dhe të zotit Thaçi”, ndërsa vendi, sipas tij, vendi po fillon ta humbë elementin bazë të demokracisë, që ka të bëjë me themelimin dhe zhvillimin e jetës së lirë partiake.

Ai madje i krahason arrestimet e së shtunës me ato të bëra në vendet e lindjes.

“Arrestimet e tilla kolektive, ngjasojnë hiq më pak e hiq më shumë se me qeverisjen e Putinit në Rusi, dhe qeverisjen e Putinëve të tjerë të vegjël në vendet e tjera përkrah kufirit me Rusinë”, thotë Doli.

Doli deklaroi se arrestimet e deputetëve dhe sjelljet e tilla “të dhunshme” të Policisë së Kosovës janë tregues i qartë se si liderët politikë në Kosovë ende nuk janë të pjekur për të kuptuar rolin e shtetit.

“Në momentin e parë që ata vinë në pushtet, dhunën e shohin si masë e vetme mbrojtëse ndaj pushtetit të tyre qoftë shpesh herë kriminalë, qoftë shpesh herë të pushtetit të tyre politik”, tha Doli.

Kritik ndaj aksionit policor dhe asaj që pasoi u tregua edhe analisti tjetër, Imer Mushkolaj.

Ai tha se ngjarjet e së shtunës kanë mundur shumë lehtë të evitoheshin.

“U krijua përshtypja sikur pushteti, koalicioni qeveritar, nuk ishte i kënaqur që ta përfundoj në mënyrë të qetë protestën, dhe me çdo kusht deshi ta provokojë situatën, duke arrestuar zotin Kurti”, thotë Mushkolaj për Kallxo.

Për Mushkolajn, vetë thirrja që të shtunën situata të ishte nën kontroll dhe e qetë, ka qenë tregues i qartë se nuk është dashur që atë ditë të ketë arrestime dhe situata të tilla.

Por ai tha se “një situatë e qetë nuk i konvenoi dikujt”.

“Mënyra se si e bastisën zyrën e Vetëvendosjes, se si hynin në zyre, krijohet përshtypja sikur ajo zyrë është një qendër terrorizmi”, thotë Mushkolaj.

Pas arrestimit, Kurtit i është caktuar masa 30 ditëshe e paraburgimit dhe është dërguar për ta vuajtur këtë masë në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz të Podujevës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat