Opozita: Qytetarët dje i anuluan marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi

Kosova

Opozita: Qytetarët dje i anuluan marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi

Më: 29 nëntor 2015 Në ora: 18:53

(E plotësuar)- Partitë opozitare kanë falënderuar sonte të gjithë qytetarët të cilët dolën dje për t'i mbështetur ata, si në protesta ashtu edhe pas eskalimit të situatës, duke thënë se me prezencën e tyre është dëshmuar se marrëveshjet me Serbinë e Malin e Zi kanë vdekur.

Këtë ata e thanë në një konference të përbashkët për media, duke shtuar se veprimet e djeshme të Policisë së Kosovës janë në kundërshtim me demokracinë.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri tha se ata kanë bërë një vlerësim të përbashkët se “me pjesëmarrjen e madhe të qytetarëve dje në manifestim, marrëveshjet tashmë vetëm janë anuluar”.

“Është vlerësim i yni i përbashkët që marrëveshjet tashmë janë anuluar. Janë anuluar nga qytetarët dhe populli i Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës e ka të pamundur edhe me përdorimin e tërë arsenalit të vet policorë që t’i ngjallë këto marrëveshje. Marrëveshjet nuk do të zbatohen në Kosovë sepse qytetarët e saj qoftë përmes referendumit, qo ftë përmes manifestimit tashmë i kanë shpallur të anuluara dhe të pazbatueshme dhe si të tilla duhet të jenë një fitore e madhe për Republikën e Kosovës”, deklaroi Ymeri.

Sipas kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinajt, "dje në Prishtinë ka ndodhur një ngjarje jo e mirë dhe jo e drejtë, ku janë sulmuar zyrat e punës, gjë e cila është e paparë ndonjëherë”.

“Është diçka që kushdo që pajtohet e ka gabim sepse po pranon që në Kosovë të kthehet një shtet policor ku demokracia më s’ka kuptim dhe ku mendimet ndryshe shtypen me polici. Para kësaj ngjarje ka ndodhur një ngjarje shumë e mirë, besoj diçka e paparë ndonjëherë, ku në Prishtinë kanë ardhur qytetarë nga të gjitha trevat e Kosovës, përkundër pengesave që janë bërë, përkundër rrethanave në të cilat është mbajtur tubimi, ka pasur dhjetëra mijëra qytetarë nga Kosova, nga gjitha trevat shqiptare me një porosi se marrëveshjet s’kalojnë. Opozita është e bashkuar, është e fortë dhe këto veprime të djeshme, sidomos ngjarja e dytë vetëm sa na bindin se marrëveshjet janë të vdekura, pra ajo e Bashkësisë së Komunave Serbe dhe demarkacioni ka vdekur”, tha Haradinaj.

Lideri i Nismës për Kosovën Fatmir Limaj i falënderoi qytetarët që “me prezencën e tyre treguan që kanë vdekur këto marrëveshje”.

“Shfrytëzoj rastin që t’i falënderoi qytetarët e Republikës së Kosovës që me angazhimin e tyre, mbështetjen që na kanë dhënë me prezencën e tyre fizike dje në sheshin “Zahir Pajaziti”, i kanë shpallur të vdekura këto dy marrëveshje. Kosova dje me prezencë fizike dëshmoi se është kundër këtyre dy marrëveshjeve dhe ata që kanë folur në emër të Kosovës, dje u pa se ata kanë folur në emër të tyre personal dhe jo mbi bazën e vullnetit dhe dëshirave të qytetarëve”, tha Limaj.

Se çfarë do të ndodhë nesër në Seancën plenare opozita tha që do të lajmërojnë publikun nesër paradite, ndërsa paraprakisht paralajmëruan se do të pengojnë mbajtjen e saj.

Haradinaj: Qeveria goditi Vetëvendosjen për hakmarrje

Kyretari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinja tha se Qeveria goditi Lëvizjen Vetëvendosje për hakmarrje, por ai u shpreh edhe një herë se marrëveshjet me Serbinë nuk kalojnë.

Pas më shumë se dy orë, liderët e opozitës kanë folur para medieve, por nuk kanë lënë që t’iu shtrohen pyetje nga gazetarët.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se dje në Prishtinë ka ndodhur një ngjarje jo e mirë ku është sulmuar në mënyrë të padrejtë një zyre e partisë.

“Para kësaj ngjarje ka ndodhur një ngjarje shumë e mirë, kanë ardhur dhjetëra mijëra qytetarë me porosinë se marrëveshjet nuk kalojnë”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, qeveria u hakmor ndaj Vetëvendosjes.

Në anën tjetër, lideri i VV-së, Visar Ymeri ka thënë se është vlerësim i përbashkët i ture se marrëveshjet duhet anuluar. “Marrëveshjet nuk do të kalojnë assesi”, ka thënë ai.

Kur Fatmir Limaj nga Nisma për Kosovën tha se qytetarët me prezencën e djeshme treguan se janë për t’i anuluar marrëveshjet.

“Pushteti duke parë pjesëmarrjen masive të qytetarëve dje u nervozua përmes burgosjes së deputetëve”, ka thënë ai.

Por ata nuk kanë lejuar pyetje nga gazetarët e as nuk kanë folur për seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës.

Ende po vazhdon takimi i liderëve opozitarë, është më i gjatë deri me tani

Ky duket të jetë takimi më i gjatë i liderëve të opozitës. Takimi i tyre po zgjatë më shumë se 1 orë e 40 minuta.

Tre liderët opozitar ende në takim

Tre liderët e opozitës, Visar Ymeri, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj që një orë kanë hyrë në takim në selinë e AAK-së. Sipas gazetares tonë nga selia e AAK-së, ata ende nuk kanë dalë nga ky takim.

Ky takim është thirr një ditë pas manifestimit paqësor të opozitës dhe dhunës së shkaktuar pas arrestimit të Albin Kurtit në selinë e Vetëvendosjes.

Po ashtu me paraqitjen e djeshme të Kurtit para manifestuesve, është vërejtur pakënaqësi tek lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ishte larguar më herët nga manifestimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat