A i tejkaloi Policia autorizimet ligjore dje gjatë aksionit në zyrat e VV-së?

Kosova

A i tejkaloi Policia autorizimet ligjore dje gjatë aksionit në zyrat e VV-së?

Më: 29 nëntor 2015 Në ora: 18:02

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka shprehur shqetësim për incidentin e djeshëm në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, pas tubimit paqësor të opozitës në kundërshtim të marrëveshjeve me Malin e Zi dhe Serbinë, duke e vënë theksin mbi mënyrën e sjelljes së Policisë së Kosovës ndaj aktivistëve, respektivisht dhunën e përdorur ndaj tyre.

QKMRT-ja ka vlerësuar se veprimet e Policisë së Kosovës brenda dhe jashtë zyrave të Vetëvendosjes ishin të panevojshme dhe joproporcionale dhe në këtë mënyrë nuk mund të arsyetohen në rrethanat konkrete.

“Ekipi i QKRMT, rreth orës 20:50 të datës 28.11.2015 ka vizituar të arrestuarit në ambientet e ndalimit në stacionin policor në Prishtinë ku kishin qenë të vendosur nëntë të arrestuar, ndërsa vazhdonin të silleshin edhe të arrestuar të tjerë të kapur nga njësitet e Policisë së Kosovës me këtë rast. Po ashtu, QKRMT vizitoi edhe Klinikën Emergjente në QKUK ku kishin kërkuar ndihmë mjekësore një numër i aktivistëve të “Vetëvendosje” si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tyre nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Të arrestuarit e intervistuar, janë shprehur mjaft të indinjuar me brutalitetin dhe ashpërsinë e sjelljes së Policisë së Kosovës pas hyrjes në ambiente t e objektit të “Vetëvendosje”. Një sjellje e tillë sipas të arrestuarve nuk është parë asnjëherë më parë. Aktivistët kishin pësuar lëndime të shumta trupore si pasojë e goditjeve nga pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës. Ata janë shprehur se policia gjatë gjithë aksionit ka përdorur fjalë ofenduese dhe denigruese ndaj tyre. Disa aktivistë të tjerë janë lënduar si pasojë e shtyrjeve dhe ndrydhjeve nga veprimi i policisë, ndërsa ka pasur edhe raste kur gjatë arrestimit-largimit nga objekti janë tërhequr zvarrë. Të intervistuarit kanë pohuar se ka pasur edhe policë civil të armatosur. Fillimisht, pjesëtarët e Njësisë Speciale pasi kishin thyer derën e hyrjes së objektit të “Vetëvendosje”, kishin hyrë në ambientet e brendshme duke mbajtur automatik me tyta të drejtuara kah aktivistët e shumtë që ndodheshin në ato momente në objektin e “Vetëvendosjes”, pa ndonjë paralajmërim kishin hedhur spr ej të djegës ndaj tyre për t’i neutralizuar dhe më pas u janë vërsulur atyre duke i goditur me shqelma, grushte e tyta të automatikëve, në disa raste edhe ndaj atyre që ishin të shtrirë”, thuhet në komunikatën e QKRMT-së dërguar sot mediave.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ), Behxhet Shala, për KosovaPress deklaroi se për dallim nga përplasjet e tjera mes Policisë dhe protestuesve, ku zakonisht të lënduar kanë mbetur policët, kësaj radhe të dëmtuar kanë mbetur aktivistët e Vetëvendosjes. Ndërkaq, sipas deklaratave që KMLDNJ ka marrë nga të lënduarit në Emergjencë, shumica e tyre kanë deklaruar se i janë nënshtruar dhunës policore me shqelma e grushte.

“Sipas deklaratave qe na kanë dhënë aktivistët e arrestuar, ne i kemi kontaktuar diku 44 dhe 5 të lënduar në Qendrën Emergjente, 49 gjithsej, kanë deklaruar se gjatë arrestimeve ka pasur përdorim të forcës policore qoftë me grushte qoftë me shkelma. Tash policia po arsyetohet se e kanë bërë per vetëmbrojtje në mënyrë për t'i hapur rrugët për arrestimin e Albin Kurtit. Thjesht kjo tash është çështje e organeve policore të Kosovës të shohin në qoftë se ka pasur tejkalim të detyrës zyrtare. Ne si Këshill ftojmë të shikohet çdo akt që ka shkaktuar lëndime të protestuesve dhe sidomos në ato raste kur është përdorur forca pasi ata janë lënduar apo janë prangosur apo pasi janë dërguar në stacionin policor”, tha Shala.

Ai theksoi se i gjithë incidenti ka ndodhur pas tubimit paqësor të opozitës, dhe 99 për qind e të lënduarve kanë qenë aktivistë të Vetëvendosjes.

“Po them se gjatë protestës së fundit e cila ka filluar si paqësore dhe ka përfunduar si paqësore dhe ka eskaluar në selinë e Vetëvendosjes, 99% e atyre qe janë lënduar kanë qenë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje”

Ndërsa, zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani i tha KosovaPress-it se Policia e Kosovës ka vepruar konform autorizimeve ligjore, dhe forca e përdorur dje nga Policia e Kosovës, sipas tij ka qenë proporcionale dhe e domosdoshme.

“Policia e Kosovës të gjitha veprimet e saj i ka realizuar konform autorizimeve ligjore që ka. Forca e përdorur ka qenë forcë proporcionale e nevojshme dhe e domosdoshme”, tha Kelani.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjithsej të arrestuar dje nga Policia e Kosovës janë 97 persona, përfshirë edhe deputetin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, ndaj të cilit është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat