Për dhjetë vite konsuamuam 350 milionë kilogram mish pule

Kosova

Për dhjetë vite konsuamuam 350 milionë kilogram mish pule

Më: 29 nëntor 2015 Në ora: 11:10

Mungesa e prodhimit të brendshëm të mishit të pulës, bënë që ç’do vit të eksponojmë miliona euro kesh jashtë vendit. Bazuar në të dhënat zyrtare të Doganës së Kosovës, për dhjetë vjet në Kosovë janë importuar mbi 350 milionë kilogramë produkte të mishit të pulës. Po ashtu sipas Doganës, brenda një viti importohen 33-35 milionë kilogram mish pule.

Këtë e ka bërë të ditur për KosovaPress, Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës.

Stavileci: Brenda një viti importohen deri 35 milionë kilogram mish të pulës

“Statistikat e Doganës së Kosovës tregojnë që brenda një viti importohen 33 deri në 35 milionë kilogram mish të pulës dhe cilat kushtojnë deri në 35 milionë euro brenda një viti. Kjo statistikë ka mbet e njëjtë që nga viti 2011. Nuk kemi ulje të importit të mishit të pulës. Normalisht edhe taksat të cilat paguhen për këtë kanë mbet përafërsisht të njëjta se nuk ka pasur luhatje të çmimeve në tregjet botërore të këtij produkt… Pra, të themi me një fjalë dhjetë vitet e fundit Kosova ka importuar mish të pulës në sasi mbi 350 milionë kilogramë”, tha Stavileci.

Sipas tij, brenda vitit Doganat realizojnë taksa doganore 6 deri në 7 milionë euro. Origjina e produkteve të m ishit të pulës është nga SHBA-të dhe Brazili.

Stavileci: Origjina e produkteve është e SHBA dhe Brazilit

“Dogana mbledh përafërsisht brenda një viti 6 deri në 7 milionë euro taksa doganore nga importi i mishit të pulës. Origjina e këtij mishi, kryesisht mbi 80 për qind origjina është prej kontinentit amerikan, respektivisht prej SHBA-ve dhe Brazilit… Nuk kemi pa ndonjë rënie të importit nëse merret si statistikë prej 2011, ku kemi pasur 34 milionë kilogram import të mishit të pulës. Tani në 2015 ende pa përfunduar viti jemi në 32 milionë kilogram. Pra, përafërsisht është sasia e njëjtë e importit”, tha Stavileci.

Ai ka shtuar se ka edhe raste kur ka dyshime të cilësisë së importit të këtij produkti por thotë se doganat nuk janë kompetencë për këtë. Sipas tij, në rastet kur ka dyshime, ftohet inspektorati i Agjencionit të Ushqimeve dhe Veterinës dhe ushtron kontrollin e tij në ato raste.

Ndërsa, zyrtarët e AVUK-ut thonë se siguria e mishit të bardhë të pulës është në rregull. Kështu tha për KosovaPress, Lamir Thaçi, zëdhënës i AVUK-ut.

Thaçi: Tri vitet e fundit nuk ka pasur raste të dyshimta të mishit të pulës

“Gjitha produktet që hynë në Kosovë fillimisht kontrollohen nëpër pikat kufitare. Aty vërtetohet siguria e produkteve përmes dokumentacionit dhe kontrollit që ushtrohet nga inspektorët... Ne statistikat e asgjësimeve i kemi të përgjithësuara gjithmonë, i shkruajmë vetëm llojet do të thotë produkti është mish, qumësht apo diçka tjetër. Nuk kemi statistika të ndara për secilin produkt...Në këto tre vitet e fundit nuk kemi pasur asnjë rast të problemeve që ka pasur mish i bardhë i dyshimtë. Ne kemi pasur para dy viteve një ngarkesë e cila ka qenë me mushkëri pule dhe ajo si pasoj e defekteve që ka pasur mauna gjatë transportit është bërë shkrirja edhe menjëh erë posa ka ardhur në pikën e parë kufitare është vërtetuar ky dyshim dhe menjëherë është shkuar në asgjësim dhe nuk është lejuar që të hy fare në tregun e brendshëm”, tha Thaçi.

Zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë, pranojnë se numri i fermave që merren me therjen e pulave është i vogël. Sipas Isuf Cikaqi, drejtor i Departamenti të Politikave Bujqësore dhe Tregjeve, Ministria e Bujqësisë ka mbështetur 16 fermer të kësaj prodhimtarie. Cikaqi tha se sektori i vezëve është i konsoliduar.

Cikaqi: 16 fermer kanë përfituar 841 mijë euro

“Aktualisht numri i fermave që merren me destinim therjen është i vogël. Mirëpo këtë vit kanë përfituar 16 fermer, që kjo nënkupton që numri të rritet nga viti në vit. 16 fermer me shumën 841 mijë euro mbështetet nga Ministria e Bujqësisë e që ky program do të vazhdoj edhe gjatë viteve të ardhshme....Sa i përket sektorit të vezëve është sektori i konsoliduar...Ndërsa, te sektori i mishit, këtu kryesisht kemi import të mishit të pulës dhe një prodhim të vogël vendor. Kjo ka qenë arsyeja ose qëllimi i programit të Ministrisë së Bujqësisë që përmes projekteve të ndikojmë që ky sektor të zhvillohet sidomos sektori i mishit”, tha Cikaqi.

Ai ka treguar se tek sektori i vezëve janë përkrahur 5 përfitues në vlerë mbi 295 mijë euro. Sipas tij, në vitet e ardhshme ministria do të rrisë mbështetjen financiare për këtë sektor.

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), nuk ishin në gjendje të sigurojnë statistika të prodhimit të brendshëm të mishit të pulës.

Tregu kosovarë mbetet i varur nga importi i mishit të pulës, si dhe produkte të tjera bazike në mungesë të prodhimit vendor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat