Mustafa përkujton Komandantin Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari

Kosova

Mustafa përkujton Komandantin Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari

Më: 28 nëntor 2015 Në ora: 13:19

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, me rastin e shënimit të ditëlindjes së 60-të, ka përkujtuar sot Komandantin Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, burrin e madh të kombit, Adem Jashari, si dhe daljen publike të UÇK-së

Kryeministri Mustafa, thekson se sot, kur shqiptarët kudo që ndodhen, shënojnë 28 Nëntorin, 103 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditën e Flamurit Shqiptar, ata kanë edhe një datë të shënuar, ditëlindjen e Komandantit Legjendar, Adem Jashari.

“Adem Jashari, me jetën dhe veprën e tij të pavdekshme, hyri në panteonin e burrave të shquar të kombit, të cilët e udhëhoqën popullin e Kosovës drejt lirisë. Adem Jashari, së bashku me Familjen Legjendare Jashari nga Prekazi, dhanë gjithçka për Kosovën, lirinë, pavarësinë dhe shtetësinë e saj”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Duke përkujtuar aspiratat dhe idealet e Adem Jasharit dhe Familjes Jashari, kryeministri Isa Mustafa, shprehu zotimin e Qeverisë për të punuar me përkushtim të plotë në forcimin e shtetësisë dhe anëtarësimin e Kosovës në strukturat euroatlantike, duke fuqizuar njëkohësisht miqësinë tradicionale me SHBA-të dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat