Kurti: Opozita kurrë nuk do ta lejojë “Zajednicën” në Kosovë (Foto)

Kosova

Kurti: Opozita kurrë nuk do ta lejojë “Zajednicën” në Kosovë (Foto)

Nga: Mimozë Lakna/Arben Sylejmani Më: 28 nëntor 2015 Në ora: 11:14

(E plotësuar) Pas përfundimit të fjalimeve, liderët e opozitës kanë filluar të marshojnë nga sheshi “Zahir Pajaziti” drejt sheshit “Skënderbeu”. Nuk dihet agjenda e tyre por turma ka filluar të ecë nëpër sheshin “Nëna Tereze"

Në mesin e marshuesve është edhe ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.

Kurti ka një fletë arrest të lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Kurti: Nuk mund të ecim përpara me flamurin lara-lara

Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti iu ka drejtuar protestuesve duke thënë se vetëm me flamurin kombëtar mund të ecim përpara si komb dhe jo me flamurin me lara-lara që e kanë nxjerr këta zyrtarë të korruptuar.

Ai tha se do të ballafaqohemi kurdoherë dhe të gjithë me atë që na thotë mendja, që është Republika sepse ajo është e vetmja alternativë.

Kurti ka bërë thirrje që të lirohen të gjitha ata që janë arrestuar në mbrojtje të Republikës.

Qeveria e ka bërë 28 Nëntorin festë të rendit të dytë, ka thënë Kurti

Me shumë ovacione është pritur Albin Kurti kur ka dalë në binë për t’iu drejtuar qytetarëve në sheshin “Zahir Pajaziti”. Ai ka thënë se edhe kësaj here shqiptarët i ka bashkuar Nëntori i Skenderbeut, i Ismail Qemalit e i Adem Jasharit.

“Ta duash bashkimin kombëtar nuk do të thotë ta urresh tjetrin, por mos ta duash bashkimin kombëtar do të thotë a urresh veten”, ka thënë Kurti, që teksa ka folur edhe me teza të Ukshin Hotit ka thënë se bashkimi i shqiptarëve nuk duhet të bëhet vetëm në Bashkimin Evropian.

Kurti ka thënë se në vend që të ndodhë bashkimi, po ndodh ndarja, ndërsa ka fajësuar qeverinë që këtë ndarje po e bën përmes asaj që e ka quajtur “Zajednicë”, dhe përmes ndarjes demarkacionit me Malin e Zi.

Ata që e duan bashkimin me Shqipërinë nesër, sot e duan me gjithë qenien Republikën.

“Kundër bashkimit me Shqiprinë është Serbia, e miqtë e saj. Por është edhe elita provincailste politike në pushtet”, ka thënë Kurti.

Qeveria e ka bërë 28 Nëntorin festë të rendit të dytë, ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit, shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka ndryshuar mënyrën e funksionimit të institucioneve të vendit nga koha e UNMIK-ut.

“Vetëm me flamurin kuqezi mund të ecim përpara. Nuk mund të ecim përpara me atë flamurin lara-lara, që e kanë nxjerrë këta tregtarë flamujsh që janë shitur për interesa të veta”, ka thënë Kurti.

Ka folur edhe për arrestimin e Donika Kadaj Bujupit, teksa ka thënë se “ajo është e burgosur politike, e burgosur nga pushteti sepse e do Kosovën Republikë”.

Kryetari i VV-së Visar Ymeri, tha se pushteti i Isa Mustafës po na e sjellë Serbinë në Kosovë. Ju sot këtu e manifestoni republikën.

Aai tha se nuk mund të pranohet Serbia as në Gjilan e as në Mitrovicë, as Malin e zi ne Pejë. Ne sot jemi të bashkuar si komb! Urime Republika që e mposhtë Tiraninë. Ndërkaq masa po kërkon që edhe Albin Kurti ta marr fjalën!

Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj tha se, Kosova është në gjendje të tillë për shkak të pushtetit. Pushteti na ka detyrua të jemi këtu sepse po donë me ba Serbinë zot shpije në Kosovë dhe me i falë tokë Malit të Zi.

“Sot jemi mbledh këtu për shtet dhe sot themi se marrëveshjet nuk kalojnë Kosova është e te gjithë qytetareve edhe e minoritet serb por jo e Serbisë".

Kryetari i Nismës për Kosovën Fatmir Limaj, tha se sot në ketë ditë të shenjt jemi bashkuar ashtu si dinë te bashkohen shqiptarët për Kosovën.

Bashkimi ynë është ne mbrojtje të interesave të vendit, Kosova dhe qytetarët e saj janë në konflikt me dy marrëveshje që janë kundër Kosovës. Ne sot tregojmë mesazhin e fuqishëm se edhe me prezencën jemi kundër marrëveshjeve!

Limaj tha se ftojmë Isën dhe Hashimin ta dëgjojnë zërin e qytetarëve: Isë dhe Hashim Kosova po thotë marrëveshjet nuk kalojnë. Të gjithë jemi kundër këtyre marrëveshjeve!

Limaj ka kërkuar nga qeveria referendum ose zgjedhje te lira nëse nuk pranojnë tërheqjen e nënshkrimeve.

Albin Kurti ndodhet në mesin e turmës

Edhe deputeti Albin Kurti ndodhet në mesin e protestuesve të opozitës sot.

Nga pamjet që shihen nga sheshi në Prishtinë në mesin e turmës është parë edhe Albin Kurti.

Tashmë kanë arritur në sheshin kryesor të Prishtinës, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ai i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj. Po ashtu aty është edhe Jakup Krasniqi.

Protestuesit dëgjohen duke brohoritur “Isë Isë argat I Serbisë, Zajednica nuk kalon, me hajna me hajna nuk ka shtet” etj…

Qytetarët po mbajnë në duar flamuj të ndryshëm, më së shumti shihet flamuri kombëtarë shqiptarë, ai i Kosovës, Amerikës, etj.

Ndërkohë shumë prej tyre kanë në duar edhe pankarta me mbishkrime: Stop territorit qeveritarë, Hashimi e nisi Isa e bitisi, Çlirimi është detyrë, S’ka dhunë që na ndalë, etj.

Kështu duket sheshi momentalisht

Siç edhe shihet në foto, numër i madh i njerëzve po mblidhen para skenës që opozita ka ngritur në sheshin Zahir Pajaziti.

Sipas opozitës manifestimi do të nis në orën 14:00, dhe është bërë thirrje që qytetarët të demonstrojnë kulturë qytetare duke protestuar qetësisht.

Sipas opozitarëve pritet që numri i qytetarëve të mbërrijë në 50 mijë.

Në protesta edhe familjarët e deputetëve që po kërkohen nga Policia

Deputetët për të cilët është lëshuar fletarrest nga Policia e Kosovës ende nuk po shihen. Ndërkohë familjarët e tyre i janë bashkangjitur protestuesve.

Në foto shihet bashkëshorti i deputetes Albulena Haxhiu, që është në kërkim nga Policia.

Bllokohen rrugët që qojnë në shesh

Policia e Kosovës ka bllokuar për vetura të gjitha hyrjet e rrugicave që dërgojnë në sheshet e kryeqytetit. Kjo për shkak të manifestimit të opozitës së bashkuar, të cilët do të kundërshtojnë Asociacionin dhe “Zajednicën”.

Ndryshe, tanimë prej të gjitha qyteteve janë nisur me autobusa përkrahësit e opozitës.

Mblidhen aktivistët

Aktivistët e opozitës kanë nisur të mblidhen në sheshin kryesor të Prishtinës për manifestin e 28 nëntorit që e kanë paralajmëruar tri partitë opozitare, VV, AAK dhe NISMA.

Tri partitë opozitare kanë paralajmëruar se do të jetë manifest i qetë dhe do të ketë fjalime të tre liderëve që do t’i kundërshtojnë marrëveshjet Kosovë- Serbi.

Festa e 28 nëntorit në Prishtinë

Sot në Prishtinë kudo ka festë. Në cdo shtëpi në cdo rrugë në cdo vend ku jetojnë shqiptarët. Sot kremtohet festa kombëtare e flamurit, 28 nëntori.

Me qindra njerëz mbledhen në Prishtinë me rastin e festës, e në sheshet e Prishtinës i presin shitësit ambulantë me plotë flamuj e simbole tjera kombëtare.

Fotografi i “Bota sot” ka realizuar disa foto nga sheshi Nënë Tereza.




AAK: Mijëra qytetarë janë nisur drejt Prishtinës

Zyra e medieve në AAK ka dërguar një komunikatë ku tregohet se mijëra qytetarë janë nisur drejt Prishtinës për të marr pjesë në manifestimin e opozitës.

Në këtë komunikatë AAK lut të gjithë që të jenë të qetë.

“Mijra qytetarë nga të gjitha anët e Kosovës janë nisur drejt Kryeqytetit për të marrë pjesë në tubimin madheshtorë që do të mbahet në Sheshin ’’Zahir Pajaziti’’ në orën 14:00.

Janë qytetarë të të gjitha moshave dhe përkatësive.

Pjesa dërmuese e tyre janë nisur me autobus dhe makina të organizuar dhe me vet iniciativë.

Meqenëse masa e qytetarëve do të jetë shumë e madhe, ftojmë të gjithë pjesëmarrësit që të jenë të durueshem përball pengesave eventuale në trafik, si dhe në Sheshin ‘’ Zahir Pajaziti’’ të manifestojnë qytetari, siç kanë ditur të bëjnë gjithmonë dhe sa herë janë vënë në mbrojtje të interesave nacionale. Mirësevini në Prishtinë!”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

Nisen drejt Prishtinës autobusët nga Gjakova e Prizreni

Qytetarët e Gjakovës, me pesë autobusë, janë nisur drejt Prishtinës në manifestimin e organizuar nga partitë opozitare.

Qytetarët e Gjakovës, me pesë autobusë, janë nisur drejt Prishtinës në manifestimin e organizuar nga partitë opozitare për të kundërshtuar marrëveshjen me Serbinë për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe atë me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Reporteri i KALLXO.com nga Gjakova raporton se rreth 250 veta nga ky qytet janë nisur në mënyrë të organizuar drejt Prishtinës.

Ndërsa nga Prizreni, pritet të nisen 12 autobusë me pjesëmarrës në manifestimin e orës 14 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Përveç Prizrenit, nisje të autobusëve do të ketë edhe nga fshatrat Korishë, Gjonaj, Romajë dhe Zhur.

Manifestuesit e opozitës janë grumbulluar edhe në Gjilan për t’u nisur drejt Prishtinës.

Shtatë autobusë nisen nga Mitrovica në Prishtinë

Shtatë autobusë nga Mitrovica me rreth 350 mbështetës të 'Vetëvendosjes' dhe partive tjera opozitare, janë nisur të organizuar të shtunën deri rreth orës 12:30 drejt Prishtinës.

Ata do t'i bashkohen protestës së sotme në kryeqytet, ndërsa kanë bartur flamuj kombëtarë.

Faruk Mujka, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, ka bërë të ditur për KosovaPess se 28 Nëntori është dita më e përshtatshme për të festuar, por njëkohësisht edhe që qytetarët të shprehin kundërshtimin e tyre kundër marrëveshjes për Zajednicën dhe demarkacionin me Malin e Zi.

“Data 28 Nëntor mendoj se është data më e përshtatshme të festojmë Festën Kombëtare, mirëpo në të njëjtën kohë edhe të shprehim protestën tonë në lidhje me marrëveshjen e dëmshme për Kosovën siç është nënshkrimi i marrëveshjes mbi zajednicën dhe mënyrën se si është bërë demarkacioni i kufirit me Malin e Zi… Asesi, ne kemi thënë se ky është manifetim popullor dhe manifestimet e tilla nuk ka gjasa të kthehen në dhunë, posaçërisht kur shumica prej nesh do të jetë aty me familjet tona”, ka thënë Mujka.

Edhe Fidan Ademi, aktivist i kësaj Lëvizje, ka potencuar se shumica e qytetarëve do të shkojnë sot në Prishtinë bashkë me familjet e tyre, për të marr pjesë në një protestë paqësore, me mesazhin për një Kosovë të pavarur dhe sovrane.

“Sot ne po shkojmë për 28 Nëntorin në sheshin Zahir Pajaziti për me shpreh vullnetin tonë për një Kosovë të pavarur, sovrane dhe për një Kosovë Republikë… Sot është manifestim paqësor, do të shkojmë të gjithë me familje, të gjithë qytetarët që mendojnë ndryshe, që ky vend duhet të jetë i pavarur dhe sovrandhe në bashkëveprim me 28 Nëntorin, në njëfarë fryme ne do ta përçojmë mesazhin tonë”, theksoi Ademi.

Opozita niset drejt Prishtinës

Autobusët e opozitës së bashkuar tanimë janë nisur nga qytetet e ndryshme të Kosovës drejt Prishtinës për të marr pjesë në manifestimin kundër “Zajednicës” dhe demarkacionit me Malin e Zi.

Kështu të paktën në bazë të planifikimeve që kanë bërë Pejë, Deçani, Rahovec, Viti, Klinë. Ndërsa, më vonë pritet të nisen edhe nga qytetet tjera.

Tri subjektet opozitare kanë kundërshtuar këto marrëveshje me protesta si dhe me veprime të ndryshme edhe në Kuvendin e Kosovës.

Manifestimi është paralajmëruar që të mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë si dhe fillon në orën 14:00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat