​Bashkëshortja e heroit Rexhep Mala shpallet “Qytetare Nderi” e Gjilanit

Kosova

​Bashkëshortja e heroit Rexhep Mala shpallet “Qytetare Nderi” e Gjilanit

Më: 27 nëntor 2015 Në ora: 20:55

Hanife Mala, bashkëshortja e heroit kombëtar Rexhep Mala, është nderuar sot me çmimin “Qytetare Nderi”e Komunës së Gjilanit.

Këtë çmim Hanife Malajt ia ka dorëzuar sot kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri.

Haziri, tha se zonja Hanife nuk është vetëm nëna e Fitores, por është nënë dhe simbol i fitoreve të mëdha.

“Jam i nderuar që Kuvendi i Komunës me konsensus e ka miratuar ndarjen e një çmimi të vogël për zonjën Hanife, po për neve është çmim shumë i madh sepse po e nderojmë një njeri të gjallë, një zonjë, një nënë, dhe një grua që fuqishëm qëndroi, jo prapa bashkëshortit dhe udhëheqësit të çelikt që e cilësonin shokët e tij, por qëndroi prapa heroit të shqiptarëve, Rexhep Malaj. Zonja Hanife i ka të gjitha atributet. Sot duhet t’ia japim edhe një atribut që Rexhep Malaj ia ka lënë. Ajo është nëna e Fitores, jo vetëm e kësaj që është pasardhëse e denjë, por është nëna e fitoreve të mëdha që pushka e Rexhep Malës në vitet 80-ta ka bërë jehonë. Zonja Hanife është simboli i fitoreve të mëdha në Gjilan, në Kosovë dhe kudo që janë shqiptarët”, u shpreh Haziri.

Hanife Malaj e ka falënderuar Komunën e Gjilanit për këtë çmim, duke thënë: “ndihem shumë e nderuar, por nderi i takon të gjithë atyre nënave, motrave, vëllezërve që sakrifikuan me shekuj për lirinë e vendit tonë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat