Svarqa porosit opozitën: Vendi nuk zhvillohet me veprime revolucionare

Kosova

Svarqa porosit opozitën: Vendi nuk zhvillohet me veprime revolucionare

Më: 27 nëntor 2015 Në ora: 15:49

Me rastin e 28 Nëntorit, kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa ka kujtuar sakrificën, përkushtimin dhe luftën shekullore të popullit shqiptar për liri, demokraci e zhvillim, të gjitha përpjekjet tona nuk kemi si t’i orientojmë ndryshe, pos si përpjekje për ndërtimin e paqes, mirëqenies dhe përparimit të vendit tonë.

Po ashtu, ai ka thënë se në vend të protestave, do të duhej të thërrisnim për dialog, bashkëpunim dhe bashkëveprim për të planifikuar e korrur fitore të reja zhvillimore në të gjitha fushat e jetës.

“Të dashur ferizajas, 28 Nëntori i sivjetëm na gjen në mes sfidash të mëdha politike e shoqërore për popullin shqiptar, por veçanërisht për shqiptarët e Kosovës. Sfida kryesore e këtyre muajve është tejkalimi i ndasive të thella, kundërshtive dhe manifestimit të dhunës, të cilën e kemi parë përgjatë dy muajve. Duke kujtuar, me këtë rast, sakrificën, përkushtimindhe luftën shekullore të popullit shqiptar për liri, demokraci e zhvillim, të gjitha përpjekjet tona nuk kemi si t’i orientojmë ndryshe, pos si përpjekje për ndërtimin e paqes, mirëqenies dhe përparimit të vendit tonë. Ndaj, ky 28 Nëntor, le të na shërbejë si një moment që t’i thërrasim arsyes, ta kuptojmë një herë e mirë se përparimi kombëtar, shoqëror, ekonomik, arsimor e kulturor, nuk arrihet me trazira, me dhunë e me veprime destruktive, por duke e ndërtuar vendin tonë përditë ngapak, me mund, sakrifica e përkushtim. Në vend të protestave, do të duhej të thërrisnim për dialog, bashkëpunim dhe bashkëveprim për të planifikuar e korrur fitore të reja zhvillimore në të gjitha fushat e jetës. Prandaj, uroj që ky 28 Nëntor të jetë një kthjellje e një pjese të shoqërisë sonë, e disa subjekteve politike dhe e të gjithë atyre që mendojnë se vendi ynë zhvillohet me veprime revolucionare, me përmbysje të dhunshme të pushtetit dhe duke shkatërruar pronën publike e private të këtij vendi. Le të jetë kjo ditë e madhe e kombit për të reflektuar se si do të mund ta ndërtojmë më mirë jetën tonë, si do të mund t’i ruajmë vlerat tradicionale dhe si do të mund të ndërtojmë vlera të reja kombëtare e njerëzore. Gëzuar Dita e Flamurit!”, thuhet në urmin e Svarqës./A.M

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat