Veseli vendosi flamurin kombëtar mbi varrin e Isa Boletinit (Foto)

Kosova

Veseli vendosi flamurin kombëtar mbi varrin e Isa Boletinit (Foto)

Më: 27 nëntor 2015 Në ora: 14:05

Në kuadër të shënimit të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, vizitoi vendlindjen e Heroit të Kombit, Isa Boletini, fshatin Boletin.
Gjatë vizitës në Boletin, vendlindjen dhe vendin ku është varrosur tribuni popullor, Isa Boletini, kryetari Veseli tha se është detyrim i çdo gjenerate, përulja dhe nderimi para varrit të këtij heroi, në shenjë mirënjohje për kontributin dhe përpjekjet e tij, luftarake dhe diplomatike, në mbrojtjen e interesave të atdheut, si dhe sakrificën sublime, deri në flijim për kombin e vet.

“Personaliteti i Isës ka reflektuar jo vetëm në Boletin, Mitrovicë e Kosovë, por në tërë trojet shqiptare, si një burrë i madh i kombit, që çështjen e atdheut dhe mbrojtjen e interesave të tij e vuri para çdo interesi tjetër”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Në shenjë nderimi për kontributin e Isa Boletinit për pavarësinë e Shqipërisë dhe mbrojtjen e interesave nacionale, kryetari Veseli, simbolikisht vendosi një flamur kombëtar mbi varrin e këtij heroi.

Ndërkaq, kryetari Veseli ishte edhe në Prekaz, ku bëri homazhe në Varrezat e Dëshmorëve dhe vendosi kurorë lulesh pranë varrit të Komandantit Legjendar, Adem Jashari.

“Kam ardhur sot si kryetar i Kuvendit, të përulem para Komandantit Legjendar, Adem Jashari, në këtë ditë të krenarisë dhe lavdisë sonë kombëtare. Ditëlindja e Adem Jasharit është shndërruar në flamur. Njëjtësimi i ditëlindjes së Komandantit Legjendar me Ditën e Flamurit, tashmë ka simbolikën e vet të vazhdimësisë së përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe pavarësi, duke i rritur kësaj dite të madhe përmasën e rëndësisë dhe peshën historike”, theksoi me këtë rast kryetari Veseli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat