Ministri dhe komandanti i FSK-së e vizitojnë kompleksin memorial “Adem Jashari” për 28 Nëntor

Kosova

Ministri dhe komandanti i FSK-së e vizitojnë kompleksin memorial “Adem Jashari” për 28 Nëntor

Më: 27 nëntor 2015 Në ora: 12:13

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Haki Demolli, së bashku me komandantin e FSK-së, gjenerallejtnant Rrahman Rama, me rastin e festës së 28 Nëntori dhe ditëlindjes së komandantit Adem Jashari kanë zhvilluar një vizitë në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ku kanë bërë edhe homazhe.

Ministri Demolli dhe komandanti Rama në emër të familjes Jashari janë pritur nga Rifat Jashari.

Demolli tha se qëllimi i vizitës së tij është nderimi i familjes Jashari për nder të Ditës së Flamurit dhe ditëlindjes së komandantit legjendar, Adem Jashari.

“Dolëm të vizitojmë kompleksin memorial përkujtomor të familjes Jashari dhe Prekazin në përgjithësi, në shenjë respekti për ditën e flamurit dhe të ditëlindjes së komandantit legjendar Adem Jashari. Gjithsesi, do të shkojmë të vizitojmë familjen Jashari në mënyrë së sëbashku me ta festojmë festën e flamurit, por njëherit edhe të përkujtojmë komandantin legjendar me rastin e ditëlindjes së tij”, ka thënë Demolli.

Ndërsa, në emër të familjes Jashari, Rifat Jashari tha se e falënderon ushtrinë e shtetit të Kosovës si dhe të gjithë shqiptarët që e vizitojnë dhe e nderojnë familjen Jashari.

“E falënderoj ushtrinë e shtetit të Kosovës. I falënderoj të gjithë shqiptarët kudo që janë. U uroj festat e nëntorit të gjithë shqiptraëve kudo që ata jetojnë, edhe në diasporë, edhe në viset ku kanë lindur dhe ku jetojnë. I falënderoj të gjithë shqiptarët për vizitat, për punën , për kontributin që kanë bërë deri më tani. Shpresoj edhe në të ardhmen jemi të gjithë bashkë, se pa një unitet e kemi të vështirë të bashkuar e kemi vështirë t’i arrijmë qëllimet tona. Shpresoj gjithmonë të jemi bashkë dhe të vazhdojmë rrugën bashkë si komb dhe si shqiptarë”, ka theksuar Rifat Jashari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat