Thaçi për Handelsblatt: Kosova po i lufton elementët radikalë

Kosova

Thaçi për Handelsblatt: Kosova po i lufton elementët radikalë

Më: 27 nëntor 2015 Në ora: 10:48

Gazeta më e madhe gjermane që mbulon politikën, ekonominë dhe financat “Handelsblatt”, ka zhvilluar një intervistë me zëvendëskryeministrin e Kosovës, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, i cili këto ditë ka qëndruar në një vizitë zyrtare në Berlin.

Gazeta shkruan se ministri i Jashtëm kosovar është duke luftuar në shumë fronte, kundër elementëve radikale, krizën e emigrantëve dhe forcimin e shtetësisë. Sipas Thaçit, lufta kundër terrorizmit dhe krizës së emigrantëve mund të përballohet vetëm nëse ka një bashkëpunim më intensiv ndërmjet shteteve të Ballkanit dhe Bashkimit Evropian.

Duke folur për luftën kundër terrorizmit, sidomos pas sulmeve në Paris, Thaçi ka thënë për gazetën gjermane se Ballkani mund të ndihmojë në shumë mënyra, sidomos në zbulimin dhe parandalimin e rreziqeve.

“Prandaj Kosova po synon që të anëtarësohet në Interpol, që jo vetëm të ketë qasje në informacion, por edhe të jetë në gjendje të kontribuojë në grumbullimin dhe ndarjen e informacionit të vlefshëm. Por, Kosova mund të ndihmojë edhe me shembullin e vet të interpretimit tolerant të fesë dhe me bashkëjetesën e komuniteteve të ndryshme fetare”, ka thënë Thaçi, transmeton KosovaPress.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit. Thaçi ka thënë se Kosova ka miratuar legjislacionin që sanksionon pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat dhe konfliktet e armatosura jashtë Kosovës. “Kemi vepruar kundër elementëve radikalë, duke arrestuar gati 100 individë, përfshirë edhe imamë me ndikim. Tash këta po presin vendimin e gjykatës”, ka shtuar ai.

Për “Handelsblatt”, zëvendëskryeministri Thaçi ka theksuar se Kosova ka pasur disa qytetarë që kanë shkuar të luftojnë në Siri, por kjo tani është ndërprerë krejtësisht dhe më nuk ka raste të reja.

Sipas tij, në Kosovë jetojnë komunitete të gati të gjitha feve të mëdha të botës, ku me shekuj këto komunitete kanë jetuar në tolerancë, mirëkuptim, respekt dhe bashkëpunim. “Kjo përvojë, ky interpretim i islamit, ky islam evropian mund të jetë shembull i mirë për Evropën dhe për tërë botën”, ka thënë ai.

Në këtë intervistë të gjatë, Thaçi është pyetur edhe për krizën e emigrantëve dhe reflektimet që mund të kenë mbyllja e kufijve evropian. Sipas tij, mbyllja e kufijve evropian, mund të krijojë tensione afatshkurta në shtetet e Ballkanit, por ato mund të tejkalohen përmes një intensifikimi dhe koordinimi më të mirë ndërmjet shteteve të Ballkanit dhe Bashkimit Evropian.

Ai ka folur edhe për izolimin e qytetarëve të Kosovës, të cilëve edhe më tutje iu mohohet e drejta për të lëvizur pa viza në zonën shengen.

Edhe pse kemi plotësuar të gjitha kushtet që ka vënë para nesh BE-ja, ende mbahemi - pa të drejtë – të izoluar me regjimin e vizave. Presim që këtë vit të marrim rekomandimin e Komisionit Evropian për liberalizim të vizave dhe pastaj vitin e ardhshëm që të hyjë në fuqi ky rekomandim”, ka thënë Thaçi .

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat