Decentralizmi politik mban peng zhvillimin ekonomik lokal

Kosova

Decentralizmi politik mban peng zhvillimin ekonomik lokal

Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 23:10

Drejtori Ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisjes Lokale, Besnik Tahiri, po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare të vetëqeverisjes lokale në Republikën e Maqedonisë.
Konferenca organizohet nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe trajton “sfidat dhe perspektivat në zhvillimin lokal dhe rajonal - decentralizimi dhe qasjen e BE-së”.

Tahiri në këtë ngjarje vjetore trajtoi procesin e decentralizimit dhe i zhvillimit të qëndrueshëm - sfidat, zgjidhjet dhe perspektivat. Duke analizuar procesin e decentralizimit në vendet e rajonit, tha se procesi i reformës lokale në rastin e Bosnje e Hercegovinës, i dalë nga marrëveshja e Dejtonit;ai i Kosovës i dalë nga pakoja gjithëpërfshirëse e presidentit Ahtisari; dhe ai i Maqedonisë e dalë nga marrëveshja e Ohrit... janë procese politike të rrezikuara të dështojnë, në rast se dhe më tutje vazhdon të mungojë përkrahja e Qeverisë Qendrore karshi asaj Lokale.

Duke folur për zhvillimin e qëndrueshëm, ai theksoi se ndërtimi i kapacitetit ekonomik të zonës lokale për përmirësimin e së ardhmes ekonomike të saj si dhe barazia e jetës për të gjithë, janë proces me të cilin partnerët e sektorit publik qeveritar dhe të biznesit punojnë së bashku të krijojnë kushte më të mira për rritjen ekonomike dhe krijim të punësimit. Andaj, i gjithë procesi i zhvillimit duhet të jetë i balancuar dhe integruar për të mos krijuar zona të fragmentuara. Në të kundërtën, sipas stij, me shtresa të përjashtuara, rrugëtimi si vend dhe si shoqëri është tejet sfidues mos të themi i pamundshëm.

“Për këtë është e qartë se për të pasur një qeverisje lokale të fortë dhe efikase është e rëndësishme që një vëmendje e veçantë t’i kushtohet planifikimit strategjik dhe zhvillimit ekonomik, kështu që në afat të gjatë vetëm ato komuna që mund të kenë planifikim strategjik dhe arrijnë të gjenerojnë zhvillim ekonomik lokal do të jenë në gjendje të ofrojnë gamë të gjerë të shërbimeve dhe gjithashtu mund të përmirësojnë performancat e administratës së tyre dhe anasjelltas”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, është domosdoshmëri që në gjithë rajonit të ndodh një rishikim funksional i decentralizimit i cili do të kryhej sistematikisht, sektor për sektor, dhe fushë funksionale për fushë funksionale.

“Në të kundërtën entitetet e qeverisë komunale dhe ato nacionale do të vazhdojnë të operojnë në errësirë, duke çuar në konfuzion, duke paralizuar iniciativat, duke dobësuar shërbimet dhe duke ulur nivelin e transparencës dhe llogaridhënie nga të dy nivelet e qeverisjes”, ka thënë Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat