91 përqind e qytetarëve mendojnë se policia është politizuar

Kosova

91 përqind e qytetarëve mendojnë se policia është politizuar

Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 16:23

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar sot hulumtimin: “Vlerësimi i integritetit në Policinë e Kosovës”. Ky raport ka për qëllim të vlerësojë dhe analizojë integritetin në polici, si dhe të adresojë problemet dhe sfidat kryesore në këta sektorë të policisë për të ngritur profesionalizimin e policisë: transparencën, depolitizimin, menaxhimin e burimeve njerëzore, financat dhe prokurimin publik, kontrollin e brendshëm dhe mbikëqyrjen e jashtme të policisë. Edhe pse policia renditet ndër institucionet më të besueshëm nga qytetarët e Kosovës, megjithatë pavarësia dhe integriteti i saj është vënë në pikëpyetje dhe ka nevojë për më shumë progres si në fushat e mëposhtme:

Transparenca: Në përgjithësi, Policia e Kosovës është transparente në dhënien e informatave për mediat dhe publikun. Me këtë rast, policia duhet të jetë sa më pak burokratike dhe të lejojë qasje më të lehtë e më të madhe në statistika, të dhëna dhe informata që kanë të bëjnë me punën e policisë. Për më tepër, ajo nuk duhet të mjaftohet me dhënien e informatave sipërfaqësore për palët e interesuar që kërkojnë informata.

Depolitizimi: Ky është një nga sektorët më të ndjeshëm të policisë për të cilën është thënë se ushtrohet kontroll politik nga qeveria. Baza ligjore që është në fuqi nuk garanton pavarësi të plotë të policisë nga qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme duke e ditur që menaxhmenti i lartë i policisë zgjidhet nga politika. Ka raste kur edhe zyrtarë të lartë të qeverisë, përfshirë këtu edhe ministrin e Punëve të Brendshme komentojnë aksione të policisë, gjë që në mënyrë tërthortë ndikon në punët e brendshme të policisë, ani sipas Ligjit për Policinë, kjo ministri nuk duhet të përzihet ne planet operacionale të policisë. Sa i përket ndikimit politik mbi policinë, 91 përqind e qytetarëve mendojnë se ajo është politizuar, ndërsa vetëm 5 përqind konsiderojnë se politika nuk ndërhyn në polici.

Menaxhimi i burimeve njerëzore: Sfida më e madhe në këtë fusha ka të bëjë me pensionimin e parakohshëm të rreth 1,000 zyrtarëve policorë. Duke e ditur që Policia e Kosovës është ndër më të vjetrat në rajon në lidhje me moshën mesatare, atëherë shtrohet nevoja për reformimin e saj me kuadro të reja. Me Draftligjin për Pensionimin e Parakohshëm të zyrtarëve policorë, parashihet që mosha e pensionimit të këtyre të fundit të jetë mosha 55-vjeçare. Pritet që 1,000 policë të pensionohen dhe 1,000 zyrtarë të rinj policorë të punësohen. Sidoqoftë, policia duhet të jetë e kujdesshme që në fazën e rekrutimit të policëve të rinj të mos ketë nepotizëm dhe ky proces të mbikëqyret edhe nga institucione të tjera. Gjithashtu, punësimi i zyrtarëve të rinj policorë duhet të ngrit profesionalisht burimet njerëzore të vet policisë.

Financat dhe prokurimi publik: Prokurimi publik mbetet një sfidë e madhe për Policinë e Kosovës, sidomos transparenca, hartimi i kritereve për tenderim, monitorimi i zbatimit të kontratave dhe moszbatimi i planit vjetor të prokurimit publik. Mosfunksionimi bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit për më shumë se shtatë muaj në vitin 2014, kishte efekt të drejtpërdrejtë edhe në planet e prokurimit publik në Policinë e Kosovës. Ligji i Prokurimit Publik në Kosovë mbulon të gjitha autoritetet publike, duke përfshirë edhe Policinë e Kosovës, që në fakt nuk i përshtatet nevojave dhe specifikave të veçanta të cilat i ka Policia e Kosovës, sidomos furnizimi me pajisje të veçanta për policinë. Qeveria e Kosovës duhet të ndryshoj këtë ligj dhe një pjesë veçantë e ligjit duhet të rregulloj vetëm sektorin e sigurisë në Kosovë.

Kontrolli i brendshëm: Edhe pse korniza ligjore për mekanizmat e kontrollit të brendshëm është në rregull, megjithatë ende mbetet shumë për të bërë në këtë fushë për të ngritur më shumë integritetin në polici. Policia e Kosovës duhet të hartojë Planin e Integritetit që do të përcaktonte në mënyrë të qartë politikat e integritetit drejt profesionalizimit të mëtejshëm të policisë, derisa Kodi i Etikës policore është i pamjaftueshëm në këtë aspekt. Nga ana tjetër, Inspektorati Policor i Kosovës duhet të fuqizojë rolin e vet në mbikëqyrjen e policisë për të vlerësuar integritetin e zyrtarëve policorë përmes testit të integritetit. Në këtë drejtim, Inspektorati Policor duhet të vendos bashkëpunim më të mirë me Prokurorinë e Kosovës. Për më tepër, Inspektorati ka nevojë të ngrit kapacitetet e veta profesionale e njerëzore për të ndikuar edhe më shumë ne profesionalizimin e vet policisë.

Mbikëqyrja parlamentare e policisë: Mbikëqyrja e policisë nga jashtë ende mbetet e dobët, veçanërisht nga Komisioni parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së. Gjatë viteve 2014 dhe 2015, ky komision nuk ka arritur të mbikëqyrë punën e policisë. Edhe pse komisioni parlamentar ka krijuar një grup punues për mbikëqyrjen e zbatimin të Ligjit për Policinë, megjithatë nuk ka dal ende ndonjë raport monitorues me rekomandime për policinë. Njëjtë ka ndodhur edhe në vitin e kaluar kur nuk ka arritur të nxjerr ndonjë raport për procesin e gradimit në polici. Në këtë mënyrë, komisioni parlamentar përballet me mungesë të profesionalizmit dhe ekspertëve për të ushtruar mbikëqyrje demokratike në polici.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat