Në Gjakovë ju dha lamtumira e fundit z. Veli Devës

Kosova

Në Gjakovë ju dha lamtumira e fundit z. Veli Devës

Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 15:50

Sot në Gjakovë i është dhënë lamtumira e fundit veprimtarit, funksionarit dhe ekonomistit të shquar Veli Deva.
Me këtë rast, nën patronatin e Kryetares së Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, është organizuar mbledhja komemorative dhe homazhe në nderim të jetës dhe veprës së të ndjerit.

Kryetarja Mimoza Kusari Lila ka vlerësuar lart kontributin e të ndjerit Veli Deva, e posaçërisht angazhimin e tij në sferën ekonomike. “Duke u bërë i përjetshëm me vlerat që la pas, Veli Deva në jetën e tij kishte shumë merita për të cilat Kosova dhe Gjakova ndjehen falënderuese. Krahas shumë figurave tjera kontribuese, Veli Deva është themelues i bazave të para të shtetësisë së Kosovës, si në nivelin intelektual, arsimor dhe ekonomik.

Me një fanatizëm të pa shoq, në kohën sa ishte udhëheqës, mbrojti nga nëpërkëmbja thesarin dhe pasurinë e çmuar të Kosovës, Trepçën, për të cilën dha shumë nga vetja e tij, duke zhvilluar industrinë në Kosovë, përfshirë edhe Gjakovën”, është shprehur kryetarja Mimoza Kusari Lila.

Ndërkaq, në emër të ish bashkëpunëtoreve, fjalim ka mbajtur bashkëpunëtori i ngushtë z. Burhan Kavaja, i cili ka sjellë kujtime të kohës, siç janë avancimi dhe zhvillimi industrial i Kosovës, ndryshimet dhe miratimi i kushtetutës së vitit 1974,kontributi për themelimin e Universitetit të Prishtinës dhe shumë projekte tjera madhore.

Gjithashtu, z. Kavaja ka folur edhe për kontributin e jashtëzakonshëm të Veli Devës në lëmin e ekonomisë, ku ka bërë që Trepça të jetë dhe të mbetet një gjigand pasuror i Kosovës.

Në fund, në emër të familjes, organizatorët dhe pjesëmarrësit i ka falënderuar nipi, Sandro Deva.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat