Mbahet mbledhja e radhës e Asamblesë Komunale

Kosova

Mbahet mbledhja e radhës e Asamblesë Komunale

Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 15:34

Sot, në Komunën e Gjakovës është mbajtur mbledhja e radhës e Asamblesë Komunale, ku fillimisht asambleistët kanë nderuar me një minutrë heshtje viktimat e aktit terrorist në Francë.
Në këtë mbledhje, kryetarja e Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila ka raportuar për disa ndryshime në transferet e brendshme të buxhetit, më saktësisht për ridestinim e mjeteve nga projektet kapitale për revitalizimin financiar të Ngrohtores së Qytetit. Kjo pikë e rendit të ditës është aprovuar me shumicën e votave nga këshilltarët komunal. Lidhur me informatën e III-të periodike financiare për vitin fiskal 2015 të Komunës së Gjakovës, ka raportua Teki Shala, drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa. “Në përgjithësi gjatë periudhës së shkuar të këtij vitit, është shënuar një efikasitet i lartë i menaxhimit të suksesshëm të buxhetit komunal. Efikasiteti i shpenzimeve në vija buxhetore është për 10% më i suksesshëm se në një vit më parë”, ka thënë Shala. Ai më tutje, ka saktësuar se mbi 25% janë zvogëluar shpenzimet në derivate të naftës, pastaj 50% në materiale zyrtare, po ashtu për dreka dhe darka është shënuar një trend i suksesshëm i kursimit me 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në ndërkohë asambleistët komunal, kanë debatuar lidhur me Draft Planin Komunal për Menaxhimin e Mbeturinave, për të cilin ka dhënë shpjegime drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Shkumbim Kastrati. Sipas Kastratit ky plan është ndarë për tu implementuar në tri faza, ku do të përfshihet i tërë rajoni i komunës i ndarë në katër zona. Plani i menaxhimit të mbeturinave i mbështetur edhe nga organizata zvicerane “DEMOS” është mjaft voluminoz që kërkon angazhim dhe përgatitje të mirëfillta në mënyrë që komuna të ketë një menaxhim të mirë të mbeturinave, ka thënë Kastrati.

Për shqyrtimin e rekomandimeve të MAPL-së lidhur me harmonizimin e Rregullores për taksa tarifa dhe ngastra nga shërbimet dhe Veprimtaritë Komunale, Teki Shala ka paraqitur vlerësimet e ndryshimeve dhe plotësimeve në këtë rregullore sipas sugjerimeve të MAPL. Më tutje, është debatuar dhe është aprovuar vendimi për për themelimin e tri vendeve të përbashkëta të gjuetisë në Komunën e Gjakovës, të propozuara nga Drejtoria e Bujqësisë.
Basri Komoni, drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ka njoftuar për procedurat dhe aktivitetin që është zhvilluar lidhur me debatet publike që janë organizuar për Draft Statutin e QKMF-së. “Kjo draft-rregullore e cila është draftuar nga Ministria e Shëndetësisë, do të jetë unifikuese dhe e ngjajshme me të gjithat komunat e Kosovës”, ka thënë Komoni. Asamblistët e kanë aprovuar këtë dokument institucional, po ashtu kanë aprovuar Draft Rregulloren për Mbrojtjen e të Miturve nga Dukurit që Dëmtojnë Shëndetin dhe Zhvillimin e Tyre, të cilën e ka prezantuar Arber Gola, zyrtar për Integrimeve Evropiane. Punën për hartimin e këtij dokumenti asamblistët e kanë vlerësuar si të mirë dhe të nevojshme për komunën tonë e cila do të kontribuoj jo vetëm në mbrojtjen e fëmijëve dhe rinisë por edhe në plotësimin e kushteve që kërkohen nga MSA-ja.

Në fund, asamblistët përmes drejtorit të Drejtorisë të Kadastrës dhe Gjeodezisë Skender Tullumi, janë njoftuar për procedurën e shpalljes si Interes publik në pjesët e parcelave për rrugët A (Pomba Nesim Bakija –Bujar Roka-Ura e Tabakut), B ( Rreth rrotullimi Nesim Bakija-Spitali Urologjik rruga për Prizren) C (Spitali Urologjik-Pika e zezë), rruga për Prishtinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat