Peja bëhet gati për Nëntorin e Prishtinës

Kosova

Peja bëhet gati për Nëntorin e Prishtinës

Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 14:21

Krerë të AAK-së nga niveli qendror, të prirë nga deputeti Daut Haradinaj dhe sekretari i partisë Ali Berisha, në prag të festave të nëntorit kanë bërë homazhe sot në Pejë, tek busti i Shkëlzen Haradinajt dhe libri me emrat e të rënëve nga kjo komunë.

Homazhet dhe nderimet nga opozita po bëhen këto ditë meqë më 28 Nëntor opozitarët do të jenë të zënë me Manifestimin paqësor në Prishtinë.

Gjatë qëndrimit në Pejë deputeti Daut Haradinaj ka ftuar pejanët t’i bashkohen opozitës më 28 Nëntor në sheshin ‘Zahir Pajaziti’.

“Më 28 Nëntor do të takohemi në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në kryeqytet. Do të takohemi në manifestimin paqësor në mbrojtje të kërkesave tashmë të njohura. Nuk po kërkojmë asgjë më shumë se ç’na takon. Tërheqje të nënshkrimeve nga demarkacioni dhe asociacioni”, ka thënë Daut Haradinaj në Pejë.

Ndërsa sekretari i AAK-së, Ali Berisha me këtë rast ka shprehur bindjen se palët që e kanë sjellë gjendjen siç ka thënë, në këtë pikë, do të reflektojnë.

“Qeveria do ta ketë mendjen. Unë besoi se ata e dinë se ku kanë gabuar. Ata ditëve në vazhdim është mirë të reflektojnë dhe palët do ti kthehen normalitetit. Ky është edhe qëllimi i manifestimit paqësor të opozitës më 28 Nëntor dhe qëllimi për të cilin Kosova ka nevojë më shumë se kurrë”, ka deklaruar Ali Berisha.

Gjatë ditës opozita e bashkuar në këtë qytet AAK, VV e ‘Nisma’, kanë zhvilluar dhe një konferencë për shtyp në selinë e AAK-së, ku mes tjerash kanë shpalosur agjendën e organizimit nga Peja drejt Prishtinës me datë 28 Nëntor. Aktivistë të opozitës në Pejë po sot kanë vënë edhe një pankartë të madhe në urën ‘Milet bahçe’ e cila bënë thirrje për bashkim në manifestimit e 28 Nëntorit në kryeqytet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat