Lëvizja për Bashkim: Mos të shfrytëzohet 28 Nëntori për përçarje

Kosova

Lëvizja për Bashkim: Mos të shfrytëzohet 28 Nëntori për përçarje

Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 13:48

Lëvizja për Bashkim nëpërmjet një komunikate për media bën thirrje që manifestimi për 28 Nëntor të jetë sa më i qetë dhe paqësor.

Lëvizja për Bashkim apelon që kjo festë të mos shfrytëzohet për të përcjellë mesazhe përçarëse dhe për të krijuar atmosferë ndarëse.

Komunikata e Lëvizjes për Bashkim:

28 Nëntori është padyshim festa më e madhe e kombit shqiptar. Kjo festë gjithmonë i ka bashkuar shqiptarët kudo që jetojnë.

Tanimë, kur jemi në prag të kësaj feste, partitë opozitare kanë paralajmëruar manifestim protestues pikërisht në ditën e festës.

Lëvizja për Bashkim e konsideron të drejtën e protestës vlerë të çdo shoqërie. Por ne, si subjekt politik, me këtë rast dëshirojmë t’u bëjmë thirrje edhe partive opozitare,edhe Qeverisë, edhe qytetarëve pjesëmarrës të protestës, që të kontribuojnë në atë mënyrë që ky manifestim të jetë paqësor dhe mesazhi të jetë në frymën e ndërtimit të bashkëpunimit të të gjitha forcave politike për çështj et që kanë të bëjnë me interesin tonë nacional. Të mos shfrytëzohet kjo festë bashkuese për të përcjellë mesazhe përçarëse e për të krijuar atmosferë ndarëse. Përndryshe, protesta do të shndërrohet në keqpërdorim të Festës kombëtare!

Lëvizja për Bashkim, që para fillimit të bisedimeve me Serbinë ka paralajmëruar se këto bisedime janë të pashmangshme, por ato po fillojnë të papërgatitura, pa konsensus kombëtare pa platformë politike dhe në këto rrethana rezultatet do të jenë me pasoja tepër të rënda për Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi. Por injorimi i kësaj thirrjeje, si nga pozita, ashtu edhe nga opozita e atëhershme dhe pozicionimi i tyre ekstrem ka bërë që përmbajtja e asaj se çka duhet të bisedohet me Serbinë të mbetet nën hijen e asaj se a të bisedohet apo jo me të. Dhe për shkak të këtyre qëndrimeve të skajshme nga të dyja blloqet e mëdha politike, sot po përballemi me një situatë shu më të rëndë e të dëmshme për vendin.

Ne vazhdojmë të jemi të bindur se një konsensus kombëtar, i ndërtuar mbi parimin e reciprocitetit si bazë e zgjidhjes së këtyre problemeve, do të prodhonte një situatë krejt tjetër, shumë më të favorshme krahasuar me këtë që e kemi sot.

Prandaj, Lëvizja për Bashkim edhe sot bën thirrje për uljen e tensioneve dhe për gjetjen e kurajës për t’u ulur së bashku i gjithë spektri politik i shqiptarëve, me qëllim të arritjes së një konsensusi për rrugën e mëtutjeshme të vendit.

Të vendosim së bashku për fatin e vendit sot, në mënyrë që të mos e akuzojmë njëri-tjetrin nesër!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat