Diskutohen hapat e mëtutjeshëm pas ndërprerjes së gërmimeve

Kosova

Diskutohen hapat e mëtutjeshëm pas ndërprerjes së gërmimeve

Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 07:39

Kkryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj do të mbledh të enjten në një takim anëtarët e këtij komisioni,

​Pas ndërprerjes së gërmimeve në lokacionin Kizhevak në regjionin e Rashkës që u bë për shkak të kushteve të vështira atmosferike, kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj do të mbledh të enjten në një takim anëtarët e këtij komisioni dhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare të angazhuara në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur me ç’rast do të diskutohet rreth hapave të mëtutjeshëm.

Sipas këtij komisioni, gërmimet e filluara ditë më parë në këtë pjesë ku dyshohet për mbetje mortore të personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, pritet të vazhdojnë në ditët në vijim, varësisht nga kushtet atmosferike.

Kryetari i Komisionit për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj ka kërkuar që punimet në këtë lokacion të rifillojnë sa më parë dhe rasti në fjalë të përfundojë në një afat sa më të afërt kohor në mënyrë që të dihet rreth fatit të të zhdukurve.

Në këtë lokacion në të cilin nisën gërmimet vlerësuese të hënën, dyshohet për 200 trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.

Në fillim të kësaj jave, Qeveria e Kosovës ka ndarë 13 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve të delegacionit nga Republika e Kosovës, të angazhuar në gërmimet vlerësuese në regjionin e Rashkës, punime të cilat është thënë se do të zgjasin rreth 3 javë.

Sipas të dhënave ende figurojnë të zhdukur rreth 1.600 persona fati i të cilëve nuk është zbardhur edhe 16 vite pas luftës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat