Haziri: Të punojmë që dhunën në familje, bashkërisht ta kthejmë në pikën zerro

Kosova

Haziri: Të punojmë që dhunën në familje, bashkërisht ta kthejmë në pikën zerro

Më: 25 nëntor 2015 Në ora: 22:33

Gjilan, 25 nëntor. Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar edhe nga kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku – Rexhepi, nënkryetari i Novobërdës Bajrush Ymeri, kanë marrë pjesë në aktivitetitn për mbulimin e objektit të Muzeut me ngjyrë portokalli, me qëllim që të zbutet dhuna në familje e përkatësisht dhuna ndaj femrës. Me këtë rast, i pari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se Gjilani sonte ka hyrë në shënimin e netëve portokalli, që është sinonim i kundërshtimit të dhunës që ne si qytetarë, familjar, etj. i bëjmë në familje apo ndaj grave dhe femrave në veçanti. “Gruaja është shtylla kryesore-qeliza e familjes dhe e shtetit.

Mekanizmi Koordinues është mekanizmi që është vlerësuar nga institucionet tjera, si mekanizëm shumë funksional, duke përfshirë autoritete zyrtare nga fusha të ndryshme. Gjilani, falë akterëve kryesorë të përfshirë në siguri dhe organeve të shtetit, mundësojnë që t’i japin mbrojtje dhe avancim gruas në çdo formë dhe është koha që bashkërisht, si institucione lokale, por edhe si shoqëri civile dhe si qytetarë, të jemi të portokallt këtyre 16 ditëve. Kjo nuk përfundon normalisht vetëm në këto 16 ditë, por duhet të vazhdoj gjatë gjithë vitit duke u angazhuar dhe punuar që ashtu siç jemi njerëz të butë në mbrojtje të femrës në të drejtat e saj barabartë me burrat, të punojmë që dhunën në familje, bashkërisht ta kthejmë në pikën zero”, ka thënë z.Haziri. Kryetari Haziri, ka përmendur edhe raste konkrete të grave të fuqishme ku pikërisht janë ato në krye të familjeve. “Sot janë bërë me shtëpi dy familje me fëmijë jetimë, ku njeriu kryesor dhe i vetëm që kujdeset për rritjen e fëmijëve, është gruaja edhe përkundër që burrat e tyre janë të vdekur tashmë. Ato nuk dorëzohen në rrugën e tyre për edukim dhe rritje të fëmijëve.

Gra të fuqishme në Gjilan dhe shembuj pozitiv kemi shumë. Gjithashtu, gjatë kësaj jave do të shpallet edhe qytetare nderi një grua e fuqishme, që edhe përkundër që burri i saj është vrarë gjatë luftës, ajo ka vazhduar jetën duke kontribuuar pozitivisht në jetën në kujdesin ndaj fëmijëve dhe familjes”, ka thënë ai ndër të tjerash. Ndërsa, Kryesuesja Bunjaku – Rexhepi ka thënë se Anamorava dhe në veçanti Gjilani, ka njerëz të ndershëm dhe të butë për nga natyra. “Në Gjilan njerëzit janë të butë dhe të ndershëm dhe problemet e dhunës në familje kryesisht nuk janë shumë të theksuara. Falënderoj kryetarin Haziri, i cili po i jep mbështetje të fuqishme femrave nga cilësia e të parit të Komunës. Hapësira, mundësitë dhe kushtet ekzistojnë tashmë, duhet vetëm angazhim, ngase mbështetja është e sigurtë”, ka thënë Bunjaku – Rexhepi.

Drita Klaiqi, e cila për shumë vite është marrë me mbrojtjen e të drejtave të grave dhe barazinë gjinore ka thënë se dhurata më e madhe që mund t’i bëhet dikujt në botë është respekti i sinqertë, e posaqërisht respekti ndaj femrës, e cila ka më së shumëti nevojë, sot e nesër...T. Selimi

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat