Haziri: Vizita e ambasadorit të Izraelit në Gjilan është vizitë historike...

Kosova

Haziri: Vizita e ambasadorit të Izraelit në Gjilan është vizitë historike...

Më: 25 nëntor 2015 Në ora: 17:40

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në një takim pune Ambasadorin e Izraelit në Beograd, Yossi Levi, me të cilin kanë biseduar për zhvillimet në dialogun Kosovë – Serbi, por edhe për kulturën, traditat, bashkëjetesën e komuniteteve dhe tolerancën ndërfetare, si vlera të larta të demokracisë dhe rrugës për përmirësimin e marrëdhënieve ndërshtetërore të Kosovës me shtetet fqinje.

Me këtë rast, kryetari Haziri ka thënë se ambasadorin e Izraelit e ka informuar për Gjilanin në përgjithësi, për kulturën, traditën, tolerancën fetare dhe etnike, por edhe rrugën që është duke ndjekur ky qytet drejtë zhvillimit.“Është nder i veçantë që sot në Gjilan kemi në një vizitë historike, për herë të parë një zyrtar të lartë, ambasadorin e Izraelit, i cili viziton Komunën e Gjilanit dhe qytetarët e saj.

I kam dhënë informacione ambasadorit për Gjilanin, Anamoravën, për traditat, për bashkëjetesën, kulturën etj. Gjilani ka pasur një komunitet hebrej, i cili ka qenë jashtëzakonisht i integruar dhe kontributdhënës në Gjilan dhe varrezat e qytetit janë të përbashkëta, për dallim nga të tjerët ku në shumë raste ato janë të ndara. Pjesa e varrezave hebreje do të jetë në vazhdimësi nën kujdesin permanent të Komunës.

E informova poashtu për potencialet që ka Gjilani në agrokulturë dhe Universitet”, ka thënë ndër të tjerash, z. Haziri. Kurse, në fjalën e tij Ambasadori i Izraelit në Beograd, Yossi Levi, ka thënë se Gjilani është qytet i bukurive të shumta historike, sikur që në vete ka një histori shumë të pasur për të kaluarën. “Sot gjatë ardhjes në Gjilan, kam parë një bukuri të mrekullueshme, natyrë dhe histori të pasur. Është një qytet që ka histori të mirë dhe tërheqëse për të gjithë ata që vizitojnë”, tha ai. Ndërsa për dialogun në mes dy shteteve në këtë rast Kosovës dhe Serbisë, ambasadori Levi e ka përshkruar si shumë të mirë dhe të domosdoshëm për një të ardhme të sigurtë.

“Edhe shteti i Izraelit ishte me probleme të natyrës së njejtë me Kosovën, para më shumë se 6 dekadave. Mendoj se ajo që po bëhet në dialogun e Kosovës me Serbinë, është shembull i mirë i lëvizjes drejtë zgjidhjes së problemeve. Dialogu përherë është perspektivë e një ardhmërie më të mirë për qytetarët e një vendi. Po të shihet nga jashtë, dialogu është shumë i mirë për dy palët, sepse të dialogohet është nevojë e zgjidhjes së problemeve dhe hapjes së rrugës për zhvillim. Është hap shumë i rëndësishëm që pala kosovare dhe ajo serbe po bëjnë në këtë drejtim, për të mirën e qytetarëve të tyre nga të dy shtetet”, është shprehur ambasadori Levi në adresimin para gazetarëve gjilanas.T. Selimi

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat