Ambasadorja e Turqisë: Lutfi Haziri është shembull për Europën...

Kosova

Ambasadorja e Turqisë: Lutfi Haziri është shembull për Europën...

Më: 25 nëntor 2015 Në ora: 17:01

Gjilan, 25 nëntor. Sot, në Gjilan, i pari i Komunës, z. Lutfi Haziri me bashkëpunëtorët e tij, ka pritur në takim ambasadoren e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç, të cilën e ka njoftuar për koekzistencën tradicionale të bashkëjetesës dhe bashkëpunimit të kulturave të përbashkëta dhe të nevojës që ta vazhdohet me këtë shembull të mirë të ruajtjes së këtyre vlerave për të ardhmen e Komunës në fjalë.

Me këtë rast, Haziri ka shtuar: “Është një nderë i veçantë që sot e takova ambasadoren, Kivilcim Kiliç. Prezenca turke në Gjilan është në tri nivele, diplomatik, ushtarak dhe niveli i tretë është ai i mbështetjes financiare që është agjencioni shtetëror “Tika”.

Pres restaurimin dhe renovimin e objekteve të trashëgimisë kulturore siç është xhamia “Atik”, e cila daton që nga viti 1605. “Tika” ka hyrë në programe bujqësore në bashkëfinancim me Komunën dhe në arsim në ndërtimin e çerdhes së fëmijëve në lagjen “Arbëria”. E falënderoj ambasadoren dhe shtetin turk për mbështetjen e vazhdueshme”, tha kryetari Haziri. Ndërsa, ambasadorja e Turqisë, Kivilcim Kiliç, pasi e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen, ka thënë se ky i fundit është shembull për Europën që po e vazhdon traditën e multikulturalizmit dhe multietnicitetit.

“Ndihem krenare që gjendet sot në Komunën e Gjilanit. Kam vizituar shoqatën “Fidan” dhe “Gilan”. E falënderova kryetarin Haziri që po e vazhdon një traditë që është shembull jo vetëm për Ballkanin, por edhe për Europën, pra shembulli i multikulturalizmit dhe multietnicitetit. Këtë harmoni dhe koekzistencë e kemi parë edhe kur kemi vizituar shkollën dhe shoqatat tjera.

Ne e shohim si pasuri të madhe mbrojtjen e kësaj kulture”, ka deklaruar para gazetarëve ambasadorja Kiliç. Ajo është shprehur se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Kosovës në çdo aspekt janë special, duke konfirmuar se “do të vazhdojmë ta japim kontributin për Kosovën, sikur që kemi bërë deri më tash”./T. Selimi

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat