Nga fjalimi i Kryetarit Dr.Ukë Berisha, në solemnitetin e shënimit të 25-vjetorit të formimit të PSHDK-së

Kosova

Nga fjalimi i Kryetarit Dr.Ukë Berisha, në solemnitetin e shënimit të 25-vjetorit të formimit të PSHDK-së

Më: 25 nëntor 2015 Në ora: 16:16

- Fillimet e Partisë Demokristiane datojnë që në vitet e para të krijimit të shtetit shqiptar.
Fillimi i organizuar politik ishte grupimi “Ora e Maleve” i krijuar në Shkodër nën drejtimin e Luigj Gurakuqit. Me 17 shkurt 1945 u krijua organizata “Bashkimi Shqiptar”, në krye të së cilës u zgjodh Patër Gjon Shllaku.

Partia Demokristiane, me këtë emërtim, u krijua për herë të parë me 27 prill 1945, nën drejtimin e Arqipeshkvit Gaspër Thaçit, me nënkryetar Patër Anton Arapin dhe monsinjor Vincens Prenushin. Partia Demokristiane në këtë kohë ishte e vetmja parti politike që ndante të njejtin program dhe vizion politik me familjen e madhe kristiandemokrate dhe demokristiane europiane.

Për shkak të këtij misioni politik të Partisë Demokristiane regjimi komunist ndoqi, arrestoi, persekutoi dhe dënoi me ashpërsi të gjithë themeluesit, drejtuesit dhe mbështetësit e lëvizjes demokristiane.

Jo rastësisht jemi tubuar sot këtu në Gjakovë, 45 vite pas formimit të Partisë Demokristiane në Shkodër dmth para plot 25 viteve, të njejten ditë për derisa mbahej Kuvendi për formimin e PSHDK-së me 4 nëntor 1990 në Gjakovë, në varrezat katolike në Shkodër kremtohej mesha e shenjtë, nga dom Simon Jubani e cila shënoi fillimin e rënies së regjimit të diktaturës ateiste komuniste në Shqipëri.

Kjo ishte Mesha e Parë pas “Revolucionit Kulturor të vitit 1967” në Shqipëri.
Në historinë e pluralizmit politik në Kosovë dita e themelimit të PSHDK-së me 4 nëntor 1990 në Gjakovë do të njihet si një ngjarje madhore, ajo u formua vetëm pak muaj pas formimit të LDK-së. Ishte dilemë e madhe si do të pritej në opinjon kjo Parti Demokristiane.

Themelimi i PSHDK-së ishte kërkesë e kohës, kishte motive politike por në veçanti ishin ato kombëtare.
- PSHDK është parti kombëtare e qendrës së djathtë, që ka lindur nga filozofia mijëvjeçare e rezistencës së pamposhtur shqiptare për liri të njëmendtë shpirtërore, si parakusht të një lirie nacionale, rezistencë e cila gjithmonë ka qenë kombëtare ndaj hordhive, qoftë turke, qoftë sllave. Në këtë rrugëtim orientimi i saj është i përcaktuar qartë për Kosovën shtet të pavarur e demokratik dhe të integruar në mekanizmat ndërkombëtarë.

Dihet mirëfilli në Europën perëndimore se partitë demokristiane në asnjë formë nuk janë parti fetare, por dihet se bazohen në një sistem vlerash politike që ka traditë demokracinë kristiane.

Koalicioni shumëvjeçar LDK-PSHDK ishte i mbështetur në vlera njerëzore, e i bazuar në filozofinë politike e kombëtare të njeriut dhe arkitektit të shtetit sovran e modern të Republikës së Kosovës Presidentit Rugova dhe njeriut më besnik të tij Akademik Mark Krasniqit. Ky koalicion arriti të bëhet partnere e partive si motra në Evropë sidomos CVP në Zvicërr, CDU-së në Gjermani dhe partive të tjera demokristiane e popullore dhe të ndikojë fuqishëm në afirmimin e çështjes së Kosovës në qarqet më të larta të diplomacisë së Evropës perëndimore.

Ky koalicion arriti të ndërkombëtarizojë çështjen e Kosovës në gjithë botën dhe të sigurojë mbështetjen e vendeve më të fuqishme të demokracisë botërore, para së gjithash të SHBA-ve dhe vendeve kryesore të BE-së. Gjatë këtyre 25 viteve, me PSHDK-në morëm pjesë në të gjitha proceset e ecjes së Kosovës përpara, në të gjitha të arriturat e deritashme dhe në të gjitha segmentet e jetës së popullit tonë.

PSHDK ka fokusuar fushëveprimtarinë politike, brenda e jashtë Kosovës, në planin kombëtar dhe në atë ndërkombëtar, për lirinë, për demokracinë dhe Pavarësinë e Kosovës.

PSHDK së bashku me LDK-në ka institucionalizuar shtetin paralel të Kosovës dhe ka qenë forca e dytë parlamentare para luftës së vitit 1999 në Kosovë. Në zgjedhjet 22 majit të vitit 1992 për Kuvendin dhe Kryetarin e Kosovës përfaqësohej me 6 deputet, kurse në zgjedhjet e vitit 1998 në Parlamentin e Republikës së Kosovës kishte 12 deputet.
Udhëtimi ynë me PSHDK-në ishte i gjatë, puna jonë në faza të caktuara ishte e shkëlqyer, ishim subjekti i dytë me anëtarësi pas LDK-së, por pati edhe dështime, sidomos dy zgjedhjet e fundit kur për herë të parë mbetëm jashtë parlamentit.

- Ky subjekt politik ka kaluar periudha shumë të rënda, por prap arriti të mbijetojë.
Partia Demokratike e Kosovës mban mbi vehte njollen e turpit që nuk i qëndroi korrekt marrëveshtjes me PSHDK-në. Nuk jemi të dëshperuar. Me punën dhe ndershmërinë tonë, do arrimë të jemi një zë edhe më i fortë në politikën shqiptare.
Jemi këtu, për t’ju rikujtuar se PSHDK-në dhe të ardhmen e saj kurrë s’mund ta marrë peng askush. Gjergj Fishta përpara gati një shekulli ka shkruar se: “Njeriu duron dhimbjen, duron fatkeqësitë, por e ka të vështirë të durojë pabesitë dhe thikën pas shpine, të ngulur nga ata që deri dje të përqafonin tuj të thirrë vëlla”.

PSHDK-ja, është parti e vlerave të traditës, parti e frymës dhe aspiratës evropiane, si një parti që ka një simbolikë dhe rëndësi të veçantë për vet shoqërinë dhe sistemin politik në Kosovë.
Ne jemi dhe do të mbetemi një forcë e respektuar, jo për shkak të moshës, por sepse ne jemi gjithnjë në kërkim të ndryshimit dhe të një realiteti të ri.

Ne synojmë konsolidimin e të gjitha arritjeve pozitive të këtyre 25 viteve, të cilat janë pronë e gjithë shoqërisë shqiptare.

E nderuara Familje demokristiane.
E di shumë mirë ç’domethenë të drejtosh me dinjitet një forcë të vogël politike në këto troje, e vetmja në Kosovë që ndan të njejtin program dhe vizion politik me familjen e madhe kristiandemokrate europiane.

25 vite të ekzistimit të PSHDK-së nuk janë pak për një lëvizje historike dhe evropiane që nis me At Gjergj Fishtën e madh, vijon me At Gjon Shllakun dhe i mbijeton diktaturës e torturës komuniste me At Zef Pllumin.
PSHDK-ja i përket Familjes së madhe demokristiane, që sot qeverisë kudo në Europën e bashkuar. Jemi Familja më e madhe dhe më e fuqishme në Evropë. Ne udhëheqemi dhe kemi lider personin më të fuqishëm në Evropë. Lider i yni dhe i të gjithë Demokristianeve të Evropës është Kancellarja e Gjermanis Z. Angela Merkel.

Andaj, bashkimi rreth demokristianëve, është bashkim rreth forcës kryesore që sot udhëheq me Unionin Europian. Vizitat e shpeshta të Demokristianëve evropianë në Kosovë dhe vizitat ne Bern, Vienë e Berlin të Demokristianëve të Kosovës dhe kontaktet e rregullta informative, tregojnë gatishmerinë për të ndihmuar Demokristianët e Kosovës.
Jemi këtu, për të treguar, se PSHDK-ja do të jetë garancia e sigurt e së ardhmes sonë europiane. Këtë bindje e mbështes mbi idealet që na kanë bashkuar më 4 Nëntor 1990 kur krijuam PSHDK-në, përqafoi ato ideale për të cilat ne ekzistojmë, të cilat janë të pandryshueshme sot dhe në të ardhmen.

Na kemi qenë dhe sot jemi martirë të ruajtjes së kësaj doktrine kristiane në këto troje dhe motoja jonë është
- ,,Për një Kosovë evropiane për një Kosovë si krejt Europa”.
Për ne angazhimi në politikë ishte një mision.

Ne kemi deklaruar e deklarojmë se jemi krenarë që dhamë ndihmën tonë në Pavarësinë dhe përparimin e Kosovës. Do të ndertojmë raporte të mira me të gjitha subjektet të cilat veprojnë në Kosovë e sidomos me ato të djathta. Shtrirja e Partisë në gjithë Kosovën do të jetë synimi ynë i përhershëm.

Zonja dhe zotërinj, qytetarë të nderuar, PSHDK-ja është subjekt politik që i ka kaluar dy dekada e gjysmë. Gjithnjë ka qenë subjekt politik që ka bartur peshën e përgjegjësisë së vet politike e kombëtare. Duke rrugëtuar me partitë tjera politike, PSHDK-ja ka qenë dhe është subjekt shumë i rëndësishëm, sepse është ura që ndërlidhë më së miri Kosovën me Evropën.

Ne kemi punuar sa kemi pasur mundësi për të ndritur këtë komb.
Ne jemi krenarë për ndihmesën e veprimtarinë tonë që e kemi dhënë në këtë drejtim.
Sa ishte gjallë presidenti historik, Ibrahim Rugova, kjo nuancë e rëndësishme kombëtare që përfaqëson PSHDK-ja ka qenë gjithnjë e përfaqësuar në segmentet kryesore institucionale të Kosovës qoftë në nivele lokale qoftë në nivele qendrore.

Por pas vdekjes së Presidentit Rugova, u shemb ky parim i shëndoshë kombëtar përfaqësimi, duke u shembur, kështu, edhe solidariteti i brendshëm kombëtar, edhe ai solidaritet i bredshmëm, ku nuk përfillet më pjesa kombëtare shqiptare e konfesionit të krishterë dhe ku më shumë respekt e përfaqësim gëzojnë serbët, turqit, boshnjakët, romët, hashkalinjtë e të tjerët se sa ky segment i brendshëm dhe i rëndësishëm kombëtar.

Ne kemi heshtur deri tani për hir të cështjes kombëtare, por kur këto shkelje kaq drastike shkojnë edhe më tutje duke u thelluar, atëherë sjellja e tillë shtetërore po krijon edhe pakënaqësi të brendshme masive dhe po i thellon përçarjet brenda-kobmëtare.

Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK), me shqetësim të thellë ka përcjellur zhvillimet e fundit politike në vend , sidomos ato që ndërlidhen me procesin negociator me Serbinë.
Këto bisedime nuk kanë të bëjnë me zhvillimin e Kosovës, por me krijimin e problemeve të reja dhe bosnizimin e Kosovës. Kjo gjendje, ka krijuar jo pak frustrime në Kosovë, të cilat duhet të merren seriozisht dhe të cilave duhet përgjigjur me seriozitetin maksimal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat