​Komuna e Ferizajt rrëzon shtëpi dhe mure për projektet e komunës

Kosova

​Komuna e Ferizajt rrëzon shtëpi dhe mure për projektet e komunës

Më: 25 nëntor 2015 Në ora: 14:48

Komuna e Ferizajt është treguar e pamëshirshme të mërkurën ndaj disa uzurpatorëve të pronës komunale. Për t'i hapur rrugë asfaltimit të rrugës "Fatmir Kërçeli", asaj i është dashur t'i rrënoj disa objekte përcjellëse dhe mure të shtëpive.

Banorët e kësaj rruge të cilët janë prekur nga ky rrënim kanë hezituar që të prononcohen. Ndërsa Ferat Mehmeti, banor i kësaj rruge ka thënë se pas pranimit të vendimit nga komuna për prishjen e murit të shtëpisë, këtë e ka bërë vetë.

“E kam prishur vet murin sepse e kam pasur në pronë publike. Ne, atë mure e kemi pasur qysh para 50 viteve dhe nuk e kemi ditur se ka qenë në pronë publike, por me marrjen e vendimit të komunës unë vet e kamë rrënuar murin”, ka thënë Mehmeti.

Për më tepër ditë më parë i pari i Drejtorisë Komunale për Pronë në Ferizaj, Fatmir Azizi, ka thënë se gjatë këtij viti në komunën e Ferizajt janë shënuar 93 raste të uzurpimeve, prej të cilave komuna ia ka dalë që t'i liroj hiq më pak se 83 prona.

Azizi, ka shtuar se probleme po paraqesin ato uzurpime në zonat urbane dhe rurale të cilat po pengojnë realizimin e ndonjë projekti infrastrukturor.

Gjithashtu gjatë ditës së sotme, komuna e Ferizajt i ka njoftuar edhe objektet hoteliere në qendër të qytetit se nuk do të lejojnë shfrytëzimin e verandave nëpër hapësirat publike me qëllim që qytetarëve t'u krijohen hapësira për qarkullim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat