OSBE e zhgënjyer me rastin e Zejnepe Bytyqit

Kosova

OSBE e zhgënjyer me rastin e Zejnepe Bytyqit

Më: 25 nëntor 2015 Në ora: 12:31

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger, tha se institucionet relevante duhet të bëjnë më shumë për të përmirësuar reagimin e tyre në rastet e dhunës në familje.

Ai tha se institucionet e vendit kanë dështuar në disa raste. Sipas Schlumberger përgjigjja e institucioneve relevante ndaj dhunës në familje shpesh mungon.

Zejnepe Berisha është vrarë nga burri i saj më 24 tetor të këtij viti në shtëpinë e saj.

“Një shembull i asaj se çfarë mund t’i ndodh një viktime të dhunës në familje pa mbështjetje të duhur është vrasja e znj. Zejnepe Bytyçi-Berisha nga Suhareka. Rasti i saj flet për dështim në sistemin që do të duhej t’i ndihmonte dhe mbronte viktimat e këtij krimi”, tha ai në një deklaratë me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Ndaj Grave.

Pas vdekjes së Zejnepe Bytyçit, Misioni i OSBE-së ka analizuar përgjigjen e institucioneve përgjegjëse për t’i ofruar ndihmë asaj, dhe rezultatet kanë qenë zhgënjyese.

“Raporti tregon se nuk janë ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për ta mbrojtur atë dhe për të hetuar pretendimet për dhunë në familje ndaj bashkëshortit të saj, edhe pasi ajo kishte tentuar të kryente vetëvrasje në vitin 2012 çka duket të ketë qenë përpjekja e saj e fundit për të kërkuar ndihmë nga institucionet relevante edhe pasi kishte ofruar dëshmi se ajo dhe vajza e saj 11 vjeçare i ishin nënshtruar abuzimit në mënyrë të përsëritur,” tha Schlumberger.

Sipas tij, në tri vjetët e fundit gratë kanë qenë viktima në përafërsisht 80% të rasteve.

“Sidoqoftë, në Kosovë, ashtu sikur në mbarë botën, numri i rasteve të raportuara nuk e tregon në mënyrë adekuate nivelin e dhunës ndaj grave ose shkallën e problemit të dhunës në familje,” tha ai.

Ai tha se dhuna në familje shpesh konsiderohet si ‘çështje e brendshme familjare’ dhe niveli i ulët i raportimit mbetet shqetësim i madh.

“Në Kosovë, në përgjithësi ekziston korniza ligjore dhe rregullative për të mbrojtur personat si znj. Bytyçi-Berisha dhe për të sjellë autorët e dhunës në familje para drejtësisë. Por autoritet Policia e Kosovës, prokurorët, Njësitë e Mbrojtësve të Viktimave, dhe Qendrat për Punë Sociale të gjitha duhet të bëjnë më shumë për të përmbushur obligimet e tyre në këto raste”, theksoi Schlumberger./kallxo.com

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat