Ministri i Shëndetësisë kërkon të rrisë numrin e të punësuarve në sektor

Kosova

Ministri i Shëndetësisë kërkon të rrisë numrin e të punësuarve në sektor

Më: 25 nëntor 2015 Në ora: 12:09

(E plotësuar) Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani gjatë raportimit sot para Komisionit Parlamentar për Shëndetësi lidhur me projekt-buxhetin për vitin 2016 tha se me buxhetin për Shërbimin Spitalor Klinik Universitar mund të përmbushen nevojat vetëm për nëntë muaj. Sipas tij, ka nevojë edhe për rritje të buxhetit për pacientët që dërgohen në shërim jashtë vendit.

Por, sipas deputetëve në Komision, duhet të investohet në kapacitetet shëndetësore në Kosovë, në vend se të rritet buxheti për shërime jashtë vendit, në mënyrë që qytetarët të mund t’i marrin shërbimet këtu. Ministri u pyet edhe për Ligjin për sigurime shëndetësore, ku Rrahmani tha se premiumet do të fillojnë të mblidhen në gjysmën e vitit të ardhshëm.

Rrahmani bëri të ditur se 177.623.920 euro, janë buxheti i planifikuar për vitin 2016. Prej tyre, 52.127.539 janë për kujdesin parësor, në Shërbimin Klinik Universitar janë 87.892.641 euro dhe në Ministrinë e Shëndetësisë mbi 37 milionë euro.

“Buxheti i paraparë për barna në vitin 2016 është 21 milionë e 970 mijë e 884 euro, është konsideruar që ndoshta do të jetë i mjaftueshëm, por nga raporti d he planifikimi që janë bërë edhe në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar del që ne do me këtë buxhet do të kemi mundësi të sigurtë përmbushim nevojat për nëntë muajt e vitit në vijim... Për mbulimin qind për qind për një vit ShSKU-së i duhen edhe 5 milionë euro shtesë”, tha ai.

Gjithsej 15 milionë e 180 mijë e 897 tash për tash janë të dedikuara për Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, me të gjitha shërbimet spitalore, klinikat dhe kujdesin sekondar, ndërsa 6 milionë e 789 mijë e 987 euro janë në kujdesin parësor shëndetësor.

Sipas Rrahmani, Ministria e Shëndetësisë ka nevojë edhe për 137 vende shtesë të punës.

Këtu ai përmend numrin e inspektorëve, që sipas tij, ka nevojë të rritet.

“Ministria e Shëndetësisë e konsideron si të domosdoshme që në vitin 2016 të mundësohet shtimi i numrit të punëtorëve si parakusht themelor për funksionalizmin dhe implementimin e objektivave të përcaktuara.... nevojat janë për me funksionu sistemi mirë për me pas na një inspektim të mjaftueshëm” tha ai.

Derisa ministri tha se ka nevojë që të rritet buxheti edhe për shërime jashtë vendit, deputetët vlerësuan se më mirë është që të investohet brenda shëndetësisë kosovare në mënyrë që pacientët të mund t’i marrin shërbimet këtu.

“Afër 7 milionë i kemi shfrytëzuar për trajtim jashtë vendit, a keni ndonjë plan si të ndryshohet gjendja”, tha Fikrim Damka.

Rrahmani tha se janë duke punuar që të identifikojnë se cilat shërbime mund t’i ofrojnë dhe me çfarë çmime, në mënyrë që të mund të zvogëlohet numri i atyre që kërkojnë shërim jashtë vendit.

“Ne po mundohemi që shërbimet të cilat i kemi deficitare t’i mbështesim, t’i ngrisim në këmbë të shëndosha dhe të kemi nevojë më pak për marrjen e shërbimeve jasht”, tha ai.

Ministri u pyet edhe për Ligjin për sigurime shëndetësore, çështje kjo që është diktuar mjaft gjatë pasi që është pritur që të fillojë këtë vit.

Rrahmani tha se beson që në gjysmën e vitit të ardhshëm do të fillojnë më mbledhjen e premiumeve.

Ani pse raporti i progresit nuk e ka vlerësuar me nota të mira funksionimin e sistemit shëndetësor në Kosovë, ministri tha se kanë bërë edhe përparime, dhe se është optimist që raporti i vitit të ardhshëm do të dalë me vlerësime shumë pozitive.

Rrahmani gjithashtu pranoi se Ministria e Shëndetësisë nuk doli të jetë prioritet i Qeverisë sa i përket buxhetit, megjithatë tha se kjo nuk do të thotë se nuk janë bërë e nuk mund të bëhen përparime.

Për sistemin e informimit shëndetësor, njëherë për njëherë Rrahmani tha se është larg realizimit të objektivave.

​Rrahmani thotë se shëndetësia nuk ishte prioritet i Qeverisë për këtë vit

Ndonëse sektori i shëndetësisë ka dalë me shumë mungesa në Raportin e Progresit, ministri i këtij sektori në Kosovë Imet Rrahmani, po raporton ndryshe.

Para Komisionit për Shëndetësi, ai vlerëson se në këtë sektor është bërë shumë për një vit.

Megjithatë ka disa ankesa edhe vetë ministri, si ai për buxhetin e vogël që ndahet për këtë sektor dhe nevojën e shtimit të punëtoreve.

Rrahmani tha se Qeveria e Kosovës as për këtë vit nuk e pati prioritet shëndetësinë, ndërsa theksoi se sektori i shëndetësisë ka nevojë edhe për 137 punëtorë.

Po ashtu Rrahmani vlerësoi se duhet të rritet edhe buxheti për shërimet jashtë vendit.

Por për një rritje të tillë kundërshtuar anëtarët e Komisionit, për të cilën thanë se është më mirë që me ato para të ngritën kapacitetet në shëndetësinë në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat