EC Ma Ndryshe: Evidentohen shkelje ligjore nga MAPL në 3 komuna

Kosova

EC Ma Ndryshe: Evidentohen shkelje ligjore nga MAPL në 3 komuna

Më: 25 nëntor 2015 Në ora: 12:01

Kuvendet e Komunave fqinje të Prizrenit gjatë këtij viti në raste të caktuara kanë marrë vendime që nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi. Në bazë të vlerësimeve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal del se në KK-në e Suharekës, atë të Malishevës dhe të Rahovecit janë evidentuar nga një shkelje ligjore, derisa në ata të Mamushës, Dragashit e Shtërpcës nuk janë identifikuar raste të këtilla, njoftoi OJQ Emancipimi Civil Ma Ndryshe.

Sipas informatave të marra nga MAPL-i, KK-ja e Malishevës edhe pse e ka pranuar shkresën nga kjo Ministri, aktin e vet nuk e ka harmonizuar sipas kërkesës së ministrisë në fjalë, por e ka rikonfirmuar vendimin e miratuar më parë. Ndërsa KK-ja e Suharekës ende nuk e ka kthyer në rishqyrtim shkeljen e bërë, derisa KK-ja e Rahovecit ende ka kohë që ta rishqyrtoj vendimin e jashtëligjshëm.

MAPL ka sqaruar se gjatë monitorimit të KK të Suharekës si dhe vlerësimit të ligjshmërisë së akteve komunale, gjatë këtij viti në rishqyrtim është kthyer një akt nga komisioni i përbashkët MAPL-MF, përkatësisht Rregullorja për tarifa, ngarkesa dhe gjoba nga shërbimet dhe veprimtaritë komunale 01 Nr.16-9856, e datës 30 shtator 2015.

“Komuna e Suharekës ende nuk e ka kthyer në rishqyrtim këtë shkelje për ta harmonizuar në përputhje më kërkesën e organit mbikëqyrës”, thuhet në përgjigj en e MAPL-it.

Ndërsa Komunës së Malishevës, MAPL-i i ka kthyer në rishqyrtim Vendimin 02/268 të KK-së lidhur me miratimin e deklaratës për kundërshtimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Kuvendi i Komunës së Malishevës e ka rishqyrtuar me datën 30.10.2015, i cili akt nuk është harmonizuar sipas kërkesës së MAPL-së. Por komuna e ka rikonfirmuar vendimin e miratuar më parë”, ka bërë të ditur MAPL-i.

Ndërkaq Komunës së Rahovecit në ri-shqyrtim nga MAPL i është kthyer Vendimi 01 Nr.94/2015, për bartjen e pronës shoqërore, i miratuar në mbledhjen e KK-së më 28 shtator 2015.

“MAPL- i ka dërguar shkresën komunës për rishqyrtim më datën 26 tetor 2015. Pritet nga komuna e Rahovecit që në afatin ligjor prej 30 ditësh të rishqyrtoj dhe harmonizoj vendimin konform kërkesës së MAPL-it”, theksohet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Ndërkohë KK-të e Suharekës dhe të Rahovecit, përmes njoftimeve publike, kanë bërë të ditur se vendimet e sipërpërmendura që nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi, do t’i shqyrtojnë brenda pak ditësh, në seancat e radhës që do të mbahen në fund të nëntorit.

Në anën tjetër gjatë vlerësimit të ligjshmërisë se akteve të komunës së Mamushës, Dragashit e Shtërpcës, MAPL ka bërë të ditur se nuk ka evidentuar asnjë shkelje ligjore.

Bazuar në këto të dhëna, EC Ma Ndryshe konsideron se KK-të e lartpërmendura duhet të jenë më të përgjegjshme gjatë vendimmarrjes. Po ashtu përkujton se Kuvendi i Komunës është organi më i lartë përfaqësues në nivel lokal dhe se të gjithë anëtarët e KK-ve betohen se do t'i kryejnë detyrat dhe ushtrojnë autorizimet sipas ligjit.

Prandaj, EC Ma Ndryshe, sikurse KK-të e komunave të mëdha të Kosovës, po ashtu rekomandon KK-të e komunave fqinje të Prizrenit që pas marrjes së vlerësimeve nga niveli qendror në afatin sa më të shkurtër kohor t’i rishqyrtojnë aktet që nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe t’i harmonizojnë ato në linjë me udhëzimet e marra nga MAPL-i.

Gjithashtu i bëjmë thirrje KK-ve të lartpërmendura që të angazhohen në përmirësimin e reputacionit të tyre, duke u angazhuar në mënyrë të sinqertë për përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve dhe zhvillimin e përgjithshëm të komunave përkatëse, thuhet në komunikatën e EC Ma Ndryshe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat