​Finlanda e përkushtuar në mbështetjen e Kosovës në integrimet evropiane

Kosova

​Finlanda e përkushtuar në mbështetjen e Kosovës në integrimet evropiane

Më: 24 nëntor 2015 Në ora: 17:41

Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi sot ka pritur në takim ambasadoren e Finlandës në Kosovë Anne Huhtamaki, me të cilën ka biseduarpër bashkëpunimin në mes të dy vendeve, sidomos angazhimin në reformën e sistemit të drejtësisë.

Kuçi, sipas komunikatës së MD-së, e ka njoftuar ambasadoren Huhtamaki rreth të arriturave në sundimin e ligjit dhe njëherit ka kërkuar përkrahje nga shteti i Finlandës edhe për projekte me rëndësi të veçantë për shoqërinë tonë. Ministri ka vlerësuar lart përkrahjen e deritanishme të shtetit finlandez në avancimin e Departamentit të Mjekësisë Ligjore. Ai gjithashtu është shprehur i gatshëm për thellimin e bashkëpunimit në avancimin e funksionimit të Shërbimit Korrektues dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha tjera që prekin të drejtat të njeriut.

Kuçi e ka njoftuar ambasadoren rreth prioriteteve që ka Kosova në procesin e integrimit evropian, zhvillimin ekonomik, si dhe fuqizimin e sistemit të drejtësisë me qëllim të ngritjes së besimit të qytetarëve në drejtësi.

Ambasadorja e Finlandës në Prishtinë ka theksuar se shteti i saj është i përkushtuar për ta mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian, reformimit të sistemit të drejtësisë, si dhe proceset tjera të rëndësishme për vendin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat