Majko: Festën e 28 Nëntorit mos ta shfrytëzojmë për ndarje në mes vete

Kosova

Majko: Festën e 28 Nëntorit mos ta shfrytëzojmë për ndarje në mes vete

Më: 24 nëntor 2015 Në ora: 10:32

Ish kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, sot në Prishtinë u ka bërë thirrje subjekteve politike të Kosovës për një bashkëpunim dhe dialog mes vete në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për daljen nga kriza politike.

Majko këtë ftesë për opozitarët e ka bërë gjatë pas takimit në Prishtinë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, të cilët së bashku përçuan mesazhin e negociatave mes pozitës dhe opozitës.

Duke treguar emocionin e veçantë të tij për vizitën në Prishtinë, ai tha se njëkohësisht ndihet tejet i shqetësuar për këtë situatë të krijuar, duke bërë thirrje që 28 Nëntori të mos shfrytëzohet për ndarje, por për bashkëpunim ashtu edhe siç i ka hije kësaj feste.

Majko: 28 Nëntori nuk është festë që nxit ndarje, por nxit bashkëpunim

“Me një emocion të veçantë vij me atë që e konsideroj si shtëpinë time të dytë Prishtinën, Kosovën, por edhe me një shqetësim për situatën e krizës politike në Prishtinë, e cila shpesh edhe eksportohet si kulturë nga Tirana zyrtare, por unë jam i bindur aq më pak që jemi në prag të festave kombëtare, sidomos të festës së flamurit, 28 Nëntorit, e kemi një varg shumë të bukur tek himni kombëtar “Rreth flamurit të përbashkuar” dhe mendoj që 28 Nëntori nuk është një festë që nxit ndarje, por nxit bashkëpunim, nxit negociatë sepse shqiptarët kanë ditur që në momentet më të vështira për vendin të falin gjakun e lë më debatet apo inatet politike për natyra të ndryshme”, tha Majko.

Pas këtij takimi, ai tha se është shumë optimist që do të gjendet një gjuhë e përbashkët.

Majko: Jam shumë optimist që kjo punë do të ketë zgjidhje

“Jam shumë optimist dhe nuk parabëhem optimist në këto kohëra kot, pas asaj që diskutova sot me mikun tim dhe kryetarin e parlamentit të Kosovës, por dëshiroj të them se ky optimizëm ka të bëj me mënyrën se si të gjithë ata që janë pjesë e kujtimeve të mija, që natyrisht sot janë të ndarë në parti të ndryshme,kanë mundësi që edhe në prag të festës të flamurit të gjejnë një gjuhë të përbashkët me qëllim që t’i japin Kosovës atë që meriton”, u shpreh ai.

Kryetari Veseli përsëriti ftesën e tij për partitë opozitare, për një dialog të përbashkët, duke u shprehur i bindur se në Kuvend do arrijnë të kryhen të gjitha punët e parapara për këtë vit.

Veseli: Mesazhi i para festës është që të komunikojmë bashkërisht

“Në mënyrën numerike unë jam shumë i sigurt që do të arrijmë qind për qind atë që është në agjendë. Aktualisht në Kuvendin tonë janë edhe 35 pika, të cilat do të trajtohen vetëm në seancën e radhës, të hënën nuk kemi asnjë çështje e cila është e ngritur të cilën e pret Kuvendi i Republikës së Kosovës aktualisht. Por, ajo që është me rëndësi jemi me një mesazh para festës të komunikojmë bashkërisht të jemi afër njëri tjetrit që brenda institucioneve dhe kuvendit t’i trajtojmë të gjitha çështjet që kanë dimensionin e shqetësimit qytetarë”, tha Veseli.

Veseli që nga sot u ka uruar të gjithë shqiptarëve anë e kënd botës festën e Flamurit.

Përveç kësaj, ish-kryeministri shqiptar Pandeli Majko tha se në kohën kur partitë politike të Kosovës dhe Shqipërisë zihen mes vete, ka disa detaje tjera, të cilat janë shumë të rëndësishme dhe shqetësuese, e që sipas tij, janë bllokimi i abetares dhe librave shqiptarë në kufirin Kosovë-Serbi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat