Zogaj: Këto janë dy rrugët e pozitës dhe opozitës

Kosova

Zogaj: Këto janë dy rrugët e pozitës dhe opozitës

Nga: Arben Sylejmani Më: 24 nëntor 2015 Në ora: 09:31

Analisti Skender Zogaj thotë se pas zhvillimeve të fundit në mes së pozitës dhe opozitës, ekziston rreziku i një eskalimi të situatës në vend.

Sipas tij, tani më pushteti dhe opozita kanë mundësin të zgjedhin rrugën e urtësisë dhe mençurisë ose atë të anarkisë dhe të dalldisjes.

“Janë dy rrugë të vetme: urtësi dhe mençuri, dhe rruga tjetër – dalldisje dhe anarki! Opozita dhe Pozita duhet t'i kuptojnë rolet dhe përgjegjësitë e tyre. Mbi këtë parim duhet të kërkohet zgjidhja e të gjitha problemeve. Dialogu, dialogu dhe vetëm dialogut!”, thotë Zogaj.

Ai thotë se esklaimi i dhunës duhet të shmangur në të gjitha mënyrat pasi që sipas tij, kjo do të sjell pasoja të pariparueshme për qytetarët.

Sa i përket paralajmërimit të opozitës për mbajtjen e tubimit paqësor për këtë të shtune, me 28 nëntor, Zogaj thotë se opozita nuk duhet të protestoj në këtë festë gjithëkombëtare për shqiptarët.

“Kjo duhet te kihet fuqishëm parasysh, para së gjithash nga ana e opozitës, e cila, nuk guxon të fshihet prapa emblemave patriotike, siç e kuptoj unë paralajmërimin dhe thirrjet për protesta më 28 Nëntor, në Ditën e Festës së Flamurit kombëtar, që është festë gjithëkombëtare dhe e të gjithë shqiptarëve të pozitave dhe opozitave shqiptare.

Pra, dita e festimit nuk është për protesta, por nëse dikush e do këtë ditë për të shfry mllefet, atëherë duhet ta kuptojë që, duhet t'iu nënshtrohet rregullave te demokracisë, dhe protesta të jetë plotësisht me mjete demokratike”, shtoi Zogaj./Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat